Afati për certifikimin e kandidatëve për zgjedhjet lokale mbyllet nesër në mesnatë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur zyrtarisht procesin e certifikimit për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, duke miratuar grupin e parë prej dhjetë subjektesh politike dhe 64 kandidatësh. Në mbledhjen e mbajtur sot, KQZ ka certifikuar dy iniciativa qytetare dhe tetë kandidatë të pavarur që do të garojnë për kryetarë komunash dhe për…

Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur zyrtarisht procesin e certifikimit për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, duke miratuar grupin e parë prej dhjetë subjektesh politike dhe 64 kandidatësh.
Në mbledhjen e mbajtur sot, KQZ ka certifikuar dy iniciativa qytetare dhe tetë kandidatë të pavarur që do të garojnë për kryetarë komunash dhe për anëtarë të kuvendeve komunale, transmeton lajmi.net
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Partive Politike në KQZ, Besnik Buzhala, ka bërë të ditur se afati për aplikim për certifikim përfundon nesër, më 13 gusht 2025, në orën 23:59.
“Deri tani, dhjetë subjekte politike e kanë përfunduar aplikimin përmes platformës digjitale të KQZ-së, e cila po përdoret për herë të dytë në zgjedhjet lokale,” tha Buzhala. Ai shtoi se iniciativa qytetare “Ne Mundemi” ka aplikuar për zgjedhjet në Komunën e Ferizajt, me gjithsej 31 kandidatë për anëtarë të kuvendit komunal.
Po ashtu, është certifikuar edhe iniciativa qytetare “Prishtina në dorën tënde”, me 22 kandidatë që do të garojnë për kuvendin komunal në Prishtinë.
Ndërkaq, janë certifikuar edhe tetë kandidatë të pavarur për kryetarë komunash:
-
Hasan Ismajli – Fushë Kosovë
-
Rufki Suma – Hani i Elezit
-
Shaban Miftari – Vushtrri
-
Fatmir Selimi – Prishtinë
-
Ljubisa Rakinac – Shtërpcë
-
Artin Veliaj – Junik
-
Bashkim Fazliu – Ferizaj
-
Muhamet Ademaj – Shtime
Nga gjithsej 64 kandidatë të certifikuar, 5 prej tyre garojnë për kryetarë komunash, ndërsa 59 për anëtarë të kuvendeve komunale.
Procesi i certifikimit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me KQZ-në që pritet të vlerësojë aplikimet e mbetura brenda afatit të paraparë ligjor./lajmi.net/