Afatet për shmangien e paralizës potenciale të Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit

Këtë vit, 28 dhjetori përbën të dielën e katërt të zgjedhjeve në Kosovë. Për shkak të mungesës së konsensusit politik për të krijuar institucione pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kosova i organizon zgjedhjet e parakohshme këtë fundvit, që sipas planifikimeve buxhetore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kapin shumën e rreth 11.5 milionë eurove.…

Lajme

18/12/2025 15:48

Këtë vit, 28 dhjetori përbën të dielën e katërt të zgjedhjeve në Kosovë.

Për shkak të mungesës së konsensusit politik për të krijuar institucione pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kosova i organizon zgjedhjet e parakohshme këtë fundvit, që sipas planifikimeve buxhetore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kapin shumën e rreth 11.5 milionë eurove.

Duket që KQZ-ja duhet të tregojë efikasitet si asnjëherë më parë, që të mund të arrihen afatet e nevojshme për formimin e një qeverie të re, e që shteti të mos hyjë në një territor të pashkelur më parë.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve, KQZ-së i duhen diku një muaj e gjysmë kohë për t’i kryer të gjitha procedurat.

“Besoj që fundi i muajit janar është periudha më ideale kur mund të kemi certifikim të rezultateve zgjedhore, ndonëse rreziku është që një të tillë të mos e kemi deri në mesin e muajit shkurt”.

Pas certifikimit, ligji parasheh një afat prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Por, këtë herë, Kuvendi duket se afat të fundit për konstituim e ka, në fakt, fundin e shkurtit.

Arsyeja? Pozita e presidentit të shtetit.

“Data 5 mars është afati i fundit kur Kuvendi duhet ta zgjedhë presidentin e ri, dhe dështimi eventual mund të provokojë zgjedhje të parakohshme, edhe pa arritur fare te zgjedhja e qeverisë, apo te formimi i institucioneve të reja”, thotë Cakolli.

Pra, partitë politike, përveçse se të dakordohen për institucionet e reja, duhet të dialogojnë edhe për çështjen e kreut të shtetit, pozitë të cilën aktualisht e mban Vjosa Osmani.

Ky post është përmendur shpesh si pjesë e kalkulimeve të subjekteve politike në arritjen e koalicioneve eventuale për bashkëqeverisje.
Një tjetër problem i madh do të ishte mbetja e shtetit pa buxhet. Në pamundësi të miratimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, Kosova do të funksionojë me 1/12 e buxhetit të vitit aktual gjatë dy muajve të parë të 2026-tës.

Në një situatë të atillë, pa një emër të ri të presidentit dhe pa një qeveri të re e buxhet, as KQZ-ja nuk do të mund t’i organizonte zgjedhjet e parakohshme të radhës, në mungesë fondesh, që s’do të kishte kush t’ia ndante.

Megjithatë, Cakolli beson se, nëse partitë do ta ndanin mendjen për bashkëpunim, ky skenar do të shmangej – në rast të kundërt, rreziqet do të ishin të jashtëzakonshme.

“Nëse do të ketë vullnet politik për të gjetur zgjidhje, qoftë edhe të përkohshme, atëherë mund të arrijmë në momentin kur Kuvendi miraton një buxhet, apo formohet qeveri kujdestare në atë periudhë. Por, nëse do të ketë mungesë të vullnetit politik, vendimmarrje politike në funksion të vazhdimit të bllokadës, atëherë vendi do të shkojë drejt krizës, unë besoj më të rëndën institucionale ose socio-politike që kemi parë ndonjëherë”.

Në këtë drejtim, Cakolli vlerëson se fjalori i partive politike në nisje të fushatës duket më i moderuar, duke përmendur në veçanti Lëvizjen Vetëvendosje.
Kush i monitoron zgjedhjet?
Kur zgjedhjet u caktuan për 28 dhjetor, disa parti e organizata në Kosovë alarmuan se zgjedhjet nuk do të mund të monitorohen nga faktori ndërkombëtar, meqë një pjesë e mirë e botës është në periudhë festash ato ditë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thotë për REL-in se në grupin e parë të vëzhguesve të akredituar më 16 dhjetor ka përfaqësues të mediave vendëse e ndërkombëtare, përfaqësues të ambasadave britanike e japoneze, dhe të organizatave joqeveritare vendëse.

Cakolli pohon të ketë mësuar se misioni i Bashkimit Evropian do të jetë shumë më i kufizuar në numër këtë herë, ndërsa rrjeti i organizatave Demokracia në Veprim pritet të jetë më i madhi – me rreth 600 vëzhgues dhe vullnetarë të angazhuar – për monitorimin e procesit.

“Normalisht, vëzhgimi ndërkombëtar është vlerë e shtuar e procesit, por nuk besoj se është përcaktues në integritetin e vetë procesit zgjedhor”, shprehet ai.
Në këto zgjedhje, të drejtë vote do të kenë mbi 2 milionë shtetas të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

Sikur edhe më 9 shkurt, diasporës i është ofruar mundësia që të votojë me postë – në periudhën 12-27 dhjetor – apo në 37 përfaqësi diplomatike në 24 shtete të ndryshme, më 27 dhjetor.

Në këtë proces zgjedhor do të marrin pjesë 24 subjekte politike, me 1.180 kandidatë.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votuesi ka të drejtë të zgjedhë deri në 10 kandidatë për deputetë nga një subjekt politik.

Rastet kur fletëvotimi shpallet i pavlefshëm është kur votuesi voton më shumë se një subjekt politik apo kur voton vetëm për kandidatët për deputetë, dhe jo edhe për subjektin politik.

Deri në atë ditë, premtimet e kandidatëve për t’u ngjitur në pushtet do të jenë të pranishme në çdo platformë të mundshme.

Orët e vona të 28 dhjetorit do të japin më shumë qartësi nëse Kosova do ta shmangë një paralizë të mundshme…