Adriana Matoshi: Filmi duhet të shpallet interes shtetëror dhe si i tillë duhet të financohet

Matoshi preku çështjen e kinematografisë në fjalimin e sotëm në Kuvend.

ShowBiz

17/06/2021 17:31

Aktorja dhe deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, mori fjalën në seancën e sotme të Kuvendit, shkruan lajmi.net.

Siç edhe pritej, Adriana Matoshi në fjalimin e saj në Kuvend, sot u përqendrua në fushën që ajo vepron, duke kërkuar përkrahjen e kinematografisë.

Në fjalimin e saj, Matoshi përmendi sukseset që vitet e fundit industria e filmit ka shënuar në arenën ndërkombëtare.

“Viteve të fundit, vajza dhe djemtë e kinematografisë, aktorë dhe regjisorë nga Kosova kanë shënuar rritje të suksesit në arenën ndërkombëtare të filmit. Edhe pse me buxhet të vogël, falë talentëve të shumtë, kemi filma në të gjitha festivalet më të mëdha të botës si në: Sundance, Rotterdam e Kanes”, tha ajo.

Më tej, deputetja kërkoi që Qeveria të ndihmojë këtë industri, duke u plotësuar ligji për kinematografi.

“Ky talent duhet të përkrahet në nivel vendi, fillimisht duke plotësuar ligjin për kinematografi, të harmonizojnë ligjet, të cilat mundësojnë që Kosova të përfitojë fonde evropiane të filmit. Duhet të rregullohet ligji për sponsorizime, për lehtësira financiare për kompanitë e huaja që xhirojnë në Kosovë”, u shpreh Matoshi.

Krejt në fund të fjalimit, deputetja e VV-së kërkoi një seancë të jashtëzakonshme për kinematografi. /Lajmi.net/