Administrohen provat materiale në gjykimin ndaj të akuzuarve për vrasjen e biznesmenit, Bedri Rexhepi
Në seancën e së enjtes është bërë administrimi i provave materiale në gjykimin ndaj Jeton e Nexhat Vllasaliu, të cilët po akuzohen për vrasjen e biznesmenit, Bedri Rexhepi. Në këtë seancë, si prova materiale të prezantuara nga prokuroria u dëgjuan dhe u lexuan dy përmbajtje të CD-ve nga përgjimet ligjore dhe transkriptat e tyre sipas…
Lajme
Në seancën e së enjtes është bërë administrimi i provave materiale në gjykimin ndaj Jeton e Nexhat Vllasaliu, të cilët po akuzohen për vrasjen e biznesmenit, Bedri Rexhepi.
Në këtë seancë, si prova materiale të prezantuara nga prokuroria u dëgjuan dhe u lexuan dy përmbajtje të CD-ve nga përgjimet ligjore dhe transkriptat e tyre sipas dy urdhëresave të gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me dëgjimin e përgjimeve, mbrojtësi i të akuzuarit Jeton Vllasaliu, avokati Ndrec Doda paraqiti vërejtje duke thënë se kjo provë nuk vërteton asgjë nga pretendimi i prokurorisë se këtu kemi të bëjmë me bashkëkryerje.
“…këtu u vërtetua një interpretim i gabueshëm nga kjo provë. Nuk dëgjuam asgjë se si është kryer vepra, ku është kryer vepra, kur është kryer vepra, këtu vetëm flitet për gjetjen e kufomës dhe asgjë tjetër”, tha avokati Doda.
Pas kësaj, me kërkesë të prokurorit të rastit Armend Hamiti, është bërë incizimi i seancës gjyqësore.
Tutje, seanca ka vazhduar me leximin edhe të provave të tjera materiale, monitorimi i bisedave në burgun e sigurisë së lartë, raporti mjekoligjor, raporti nga Institutit Psikiatrik dhe Forenzikë për ekzaminimin psikiatrik dhe psikologjik për të akuzuarin Jeton Vllasaliu, raportet e ekzaminimit të AND-së nga Agjencioni i Kosovës për Forenzikë si dhe fotografitë tjera të cilat janë në shkresat e lëndës.
Seanca e radhës u caktua për një datë tjetër ku pritet që të akuzuarit ta japin mbrojtjen e tyre.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Nexhat Vllasaliu, avokati Shemsedin Piraj u deklarua lidhur me provat e elaboruara në këtë shqyrtim gjyqësor, duke theksuar se nga këto prova që u shtjelluan, sipas tij, asnjëra nga to asnjëra provë as në menyrë direkte as indirkete nuk e implikon të njejtin në veprimin inkiminues.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.