Abrashi akuzon deputetin e PDK-së për “manipulim klasik” të vendimit të Gjykatës Kushtetuese
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, duke e akuzuar këtë të fundit për “interpretim të njëanshëm” dhe “manipulim klasik” të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me krizën institucionale në Kuvendin e Kosovës. Sipas Abrashit, Gruda ka shmangur qëllimisht një pjesë…

Lajme
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, duke e akuzuar këtë të fundit për “interpretim të njëanshëm” dhe “manipulim klasik” të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me krizën institucionale në Kuvendin e Kosovës.
Sipas Abrashit, Gruda ka shmangur qëllimisht një pjesë kyçe të vendimit të Kushtetueses, duke e cituar të cunguar dhe në funksion të qëndrimeve politike të PDK-së.
“Po të kishin argumente, nuk do të kishin nevojë për të manipuluar. Po të ishte paragrafi në favor të tyre, nuk do të kishte nevojë të coptohej”, ka shkruar Abrashi në një postim në rrjete sociale.
Ai ka përmendur konkretisht paragrafin 130 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili sipas tij rrëzon tërësisht pretendimet e PDK-së. Në këtë paragraf, Kushtetuesja thekson:
“…Njëkohësisht, një detyrim i tillë vlen edhe për grupet tjera parlamentare të cilët në frymën e bashkëpunimit dhe konsultimeve konstruktive propozojnë kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit, të cilët bazuar në paragrafët 3 dhe 4 të nenit 67 të Kushtetutës, po ashtu zgjedhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.”
Sipas Abrashit, kjo pjesë e vendimit dëshmon qartë që edhe grupet opozitare kanë përgjegjësi për bashkëpunim konstruktiv në konstituimin e organeve të Kuvendit dhe se të gjitha emërimet kërkojnë shumicën e votave të deputetëve.