Abdixhiku zyrtarizon kandidaturën e Selmanajt: Ai e kupton që Prizreni nuk është një qytet që kërkon spektakël – por një qytet që kërkon përkushtim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zyrtarizuar kandidaturën e Driton Selmanajt për kryetar të Komunës së Prizrenit në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Kjo u bë gjatë një tubimi të mbajtur sonte në Prizren, ku Abdixhiku tha se ky qytet është “kryeqyteti i shpirtit tonë historik” dhe se meriton një qasje të…

Lajme

09/07/2025 21:58

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zyrtarizuar kandidaturën e Driton Selmanajt për kryetar të Komunës së Prizrenit në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Kjo u bë gjatë një tubimi të mbajtur sonte në Prizren, ku Abdixhiku tha se ky qytet është “kryeqyteti i shpirtit tonë historik” dhe se meriton një qasje të re në qeverisje, transmeton lajmi.net

“Prizreni është një nga qytetet më të vjetra dhe më të dashura të vendit tonë, vendi ku është rrahur zemra e identitetit kombëtar,” u shpreh Abdixhiku. Ai tha se LDK do të ofrojë një alternativë të bazuar në zhvillim të qëndrueshëm, shërbime publike më të mira dhe investime në fusha kyçe si arsimi, kultura, teknologjia dhe rinia, transmeton lajmi.net.

Sipas Abdixhikut, kandidati i tyre, Driton Selmanaj, vjen me përgatitje profesionale dhe vizion të qartë për transformimin e qytetit. “Prizreni nuk është një qytet që kërkon spektakël – por një qytet që kërkon përkushtim. Dhe këtë ai është gati ta japë,” theksoi kreu i LDK-së.

Postimi i plotë: 

Sonte u mbledhëm në një nga qytetet më të bukura të Kosovës, në njërin ndër më të vjetrit, më të pasurit dhe më të dashurit. Ishim në Prizren – në kryeqytetin e shpirtit tonë historik, në vendin ku është rrahur zemra e identitetit tonë kombëtar, në vendin ku është thurur Lidhja që i dha popullit tonë shpresë e rrugë drejt lirisë.
Aty zyrtarizuam kandidatin tonë për zgjedhjet e ardhshme lokale, Driton Selmanajn.
Dritoni vjen në këtë garë me përgatitje profesionale dhe me gatishmëri të plotë për të hapur një faqe të re në Prizren. Një faqe ku përparësitë nuk janë ndarjet partiake, por nevojat e qytetarëve. Ku prioritet nuk është retorika, por zhvillimi – i vërtetë, i matur, i planifikuar. Sepse qyteti ka nevojë për të rindërtuar besimin me qytetarët. Ka nevojë për shërbime publike më të mira, për infrastrukturë moderne, për investime në arsim, në kulturë, në turizëm, në teknologji. Ka nevojë për planifikim urban që mbron trashëgiminë, por hap rrugë për të ardhmen. Ka nevojë për investime në rininë e këtij qyteti – për të cilën LDK ka një plan të qartë: të ofrojë mundësi, të ndërtojë institucione, të hapë vende pune, të krijojë hapësira kulturore.
Dhe në këtë betejë, Driton Selmanaj është i gatshëm. Ai e kupton që Prizreni nuk është një qytet që kërkon spektakël – por një qytet që kërkon përkushtim. Dhe këtë ai është gati ta japë.
Na prifte e mbara./lajmi.net/