Abdixhiku uron Ditën e Çlirimit: E ardhmja jonë është e skicuar dhe projektuar në fjalë të Atit Themeltar të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugovës

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka uruar Ditën e Çlirimit të Kosovës, e në 26 vjetorin e të cilës ai ka thënë se nderojmë dhe kujtojmë 12 qershorin e vitit 1999, datën historike për Kosovën. Ai ka kujtuar sakrificën e brezave që luftuan dhe kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit. “Në këtë ditë, Kosova…

Lajme

12/06/2025 10:07

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka uruar Ditën e Çlirimit të Kosovës, e në 26 vjetorin e të cilës ai ka thënë se nderojmë dhe kujtojmë 12 qershorin e vitit 1999, datën historike për Kosovën.

Ai ka kujtuar sakrificën e brezave që luftuan dhe kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

“Në këtë ditë, Kosova u çlirua nga okupatori dhe sunduesi serb, duke i dhënë fund më shumë se një shekulli okupimi dhe shtypjeje. Ishte dita kur vendi ynë nisi të marrë frymë lirë, në paqe dhe me shpresë për një të ardhme më të ndritur. Çlirimi erdhi si rezultat i një rrugëtimi të gjatë i përpjekjes së gjeneratave të tëra; erdh si dritë e fundme e paqësorëve të 90-tave, besimi i të cilëve s‘reshturi së pushuari kurrë; përmes angazhimit paqësor dhe vizionar të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, dhe më pas përmes qëndresës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këto përpjekje u kurorëzuan me ndërhyrjen vendimtare të NATO-s, pas 78 ditëve të bombardimeve kundër caqeve ushtarake serbe, duke shënuar kapitullimin e regjimit kriminal të Millosheviçit”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se regjimi serb kishte kryer krime të rënda kundër njerëzimit – kishte vrarë mijëra civilë të pafajshëm, kishte dëbuar mbi një milion shqiptarë nga shtëpitë e tyre dhe kishte shkatërruar gjithçka që ishte shqiptare. Por falë përkushtimit të popullit tonë dhe ndihmës së miqve tanë ndërkombëtarë, e drejta dhe liria triumfuan.

“Pra, e ardhmja jonë është e skicuar dhe projektuar në fjalë të Atit Themeltar të Republikës së Kosovës, Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, “Kosova shtet i pavarur e sovran, i anëtarësuar në NATO dhe BE, e me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”; vizioni i të cilit na shërben si udhërrëfim politik në secilin hap tonin! Prandaj ne sot, shprehim mirënjohje të thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe të gjitha shtetet demokratike që qëndruan krah Kosovës në momentet më vendimtare. Le të jetë kjo ditë gjithmonë kujtim i sakrificës dhe udhërrëfyes për të ardhmen tonë të përbashkët”, ka shkruar Abdixhiku. /Lajmi.net/

Postimi i tij i plotë në Facebook: