Abdixhiku “shuan” dy mundësi: Një koalicion me VV është i pamundur, qeveria e opozitës nuk mund të bëhet sepse nuk ka vullnet as numra

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është deklaruar rreth krizës politike të krijuar në vend, gjatë një konference për media, duke komentuar edhe refuzimin që Lëvizja Vetëvendosje ia ka bërë idesë së LDK për qeveri të unitetit. Abdixhiku, ka thënë se ai, gjatë propozimit  të agjendës së LDK prej 15 pikash për këtë…

Lajme

12/06/2025 11:43

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është deklaruar rreth krizës politike të krijuar në vend, gjatë një konference për media, duke komentuar edhe refuzimin që Lëvizja Vetëvendosje ia ka bërë idesë së LDK për qeveri të unitetit.

Abdixhiku, ka thënë se ai, gjatë propozimit  të agjendës së LDK prej 15 pikash për këtë qeveria, i është drejtuar ‘‘mendjeve’’ edhe atyre brenda VV-së që kanë përgjegjësi për gjendjen e tanishme.

I njëjti ka thënë se ai dhe partia që udhëheq po ballafaqohen me dy lloje akuzash, në njërën anë VV-ja dhe në anën tjetër, ish partitë e opozitës.

Tutje, i njëjti ka deklaruar edhe se, koalicioni me VV-në është i pamundur, por edhe një qeveri nga opozita s’mund të bëhet për shkak të mos vullnetit dhe mungesës së numrave.

‘‘Tani unë nuk dua t’i drejtohem atyre që s’kuptojnë dot nga gjendja politike e tanishme, e as atyre që në komfortin më të madh të arrogancës e cinizmit preferojnë shkuarjen e çdo 48 orësh në kuvendin e Kosovës, pa ndonjë rezultat duke tallur edhe vendin edhe qytetarin edhe veten. Unë dua tu flas atyre mendjeve edhe në VV që kanë përgjegjësi për gjendjen e tanishme. Tani unë ballafaqohem dhe ne me dy lloje akuzash, në njërën anë VV na thotë ‘‘s’po vini tek ne pa PDK’’, në anën tjetër grupi opozitar ish opozitar na thotë ‘ ‘s’po vini te ne pa VV-në’’. Kjo s’është tema, qëllimi, fare brenga jonë. Ne e kemi krizë politike sepse kemi pozicionet partiake të tanishme, një pozicion është që VV dëshiron të bëjë koalicion vetëm me LDK. Për shkak të katër viteve të fundit, të dallimeve substanciale që kemi në vlera, ky bashkëpunim ka qenë dhe është i pamundur. Në anën tjetër, nuk ka vullnet, nuk ka numra, nuk ka situatë politike që të gjitha partitë tjera disi të bëhen bashkë dhe krijojnë një qeveri minimale me 61 vota që nuk i kemi, nuk janë, për të qëndruar për disa muaj. Unë po flas për diçka konkrete. Le të ulemi le te merremi me çështje praktike. Unë s’kam dëgjuar dhe s’kam propozime të tjera. Jemi në vitin 2025, duhet të sillemi me përgjegjësi. Nuk guxojmë më të trajtojmë qytetarin si leckë prej votash që na duhet çdo katër vjet’’, ka thënë ai.