​Abdixhiku: Rugova shqiptari më i madh i të gjitha kohërave

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë homazhe tek varri i ish-presidentit Rugova sot në 19-vjetorin e ndarjes nga jeta. I pari i LDK-së ka thënë se në këtë 19 vjetor kujtojmë jetën dhe veprën e themeltarit të shtetit të Kosovës dhe prijësit historik të vendit që udhëhoqi popullin tonë drejt…

Lajme

21/01/2025 11:29

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë homazhe tek varri i ish-presidentit Rugova sot në 19-vjetorin e ndarjes nga jeta.

I pari i LDK-së ka thënë se në këtë 19 vjetor kujtojmë jetën dhe veprën e themeltarit të shtetit të Kosovës dhe prijësit historik të vendit që udhëhoqi popullin tonë drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë.

“Më 21 janar të vitit 2006, Kosova humbi arkitektin e saj themeltar, njeriun që me urtësinë dhe vizionin e tij e drejtoi vendin tonë në kohët më të vështira. Ibrahim Rugova, themelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe udhëheqës i lëvizjes më të madhe kombëtare për liri, qëndroi si shtyllë e fortë e përpjekjeve tona për një shtet të lirë dhe të barabartë në mesin e familjes euroatlantike”, ka shktuar ai.

Abdixhiku ka thënë se përkushtimi i tij ndaj vendit e popullit të tij e shndërroi atë në një simbol ndërkombëtar të rezistencës paqësore.

Tutje ai e ka quajtur Ibrahim Rugovën si vizionar e i palëkundur, ku ai krijoi platformën politike që udhëhoqi popullin drejt ndërtimit të shtetit.

“Presidenti Rugova, me veprën e tij unike, na mësoi rëndësinë e unitetit, këmbënguljes dhe miqësisë së përhershme me aleancën euroatlantike dhe botën demokratike, vlera këto që na udhëzojnë e i japin kah rrugëtimit tonë të sotëm drejt të ardhmes me moton: Kosova, shtet i pavarur e sovran, e anëtarësuar në NATO dhe në BE, e me miqësi të përhershme me SHBA-të”, shtoi ai.

Ndërkaq ai është shprehur se sot, teksa përulemi për të nderuar kujtimin e tij, duhet të reflektojmë mbi gjurmët e tij të pashlyeshme në historinë e vendit.

“Sot, më shumë se kurrë, ndjejmë nevojën për ta mbajtur gjallë frymën e tij në çdo hap që ndërmarrim për të ardhmen e Kosovës. Ibrahim Rugova mbetet figura më e madhe politike e historisë sonë, një simbol i përjetshëm i sakrificës dhe përkushtimit ndaj atdheut. I përjetshëm kujtimi për Presidentin Historik, Dr. Ibrahim Rugova! Presidenti ka vetëm ditëlindje”, shkroi ai. /Lajmi.net/