Abdixhiku prezanton programin 15 pikësh për Qeverinë e Unitetit, përmend rritjen e pagave dhe pakon emergjente për menaxhim të krizës energjetike

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka mbajtur sot një konferencë për media, për të shpalosur agjendën 15 pikëshe për për Qeverinë e Unitetit. Derisa ka shpalosur këtë agjendë, Abdixhiku ka thënë se Kosova është në krizë dhe se duhet sa më shpejtë të gjendet një zgjidhje, shkruan lajmi.net. “Duhet ta pranojmë se jemi në krizë…

Lajme

12/06/2025 11:23

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka mbajtur sot një konferencë për media, për të shpalosur agjendën 15 pikëshe për për Qeverinë e Unitetit.

Derisa ka shpalosur këtë agjendë, Abdixhiku ka thënë se Kosova është në krizë dhe se duhet sa më shpejtë të gjendet një zgjidhje, shkruan lajmi.net.

“Duhet ta pranojmë se jemi në krizë politike e institucionale dhe në një kohë urgjencë”, tha ai. 

Në 15 pikat e Agjendës për Qeverinë e Unitetit, Abdixhiku ka rënditur:

  1. Funksionalizimin e institucioneve kushtetuese dhe departiakizimi i tyre;
  2. Rritja e pagave dhe zbatimi i Ligjit të Pagave;
  3. Pako emergjente për menaxhimin e krizën energjetike
  4. Nisja e projektit kombëtar të gazifikimit të Kosovës;
  5. Rindërtimi i partneritetit me BE-në dhe SHBA-në, rikthimi i politikës së jashtme aktive
  6. Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga ana e Kuvendit të Kosovës
  7. Fillimi i procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë
  8. Fillimi i projekteve me rëndësi të veçantë;
  9. Reforma kushtetuese në funksion të stabilitetit institucional
  10. Fillimi i reformës në arsim
  11. Përgatitjet institucionale për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030
  12. Reforma Strategjike e Sigurisë dhe e Mbrojtjes
  13. Rishikimi i formulës për buxhetin e Komunave
  14. Përgatitja për zgjedhje të rregullta dhe të lira demokratike brenda 10 muajve
  15. Mekanizmi i transparencës dhe llogaridhënies për periudhën kalimtare.

Këtë Qeveri të Unitetit Kombëtar, Abdixhiku e ka propozuar për të zgjidhur ngërçin politik dhe institucional të krijuar në vend.

Kjo ide e Abdixhikut nuk është pritur mirë nga partia e parë që ka dal me më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit. Ministri në detyrë i financave, Hekuran Murati që vjen nga VV, ka thënë se “Qeveria në tranzicion është kthim në kohën e UNMIK-ut”.

Kosova, që nga mbajtja e zgjedhjeve ende nuk e ka formuar as Kuvendin e Kosovës e as Qeverinë. Dje (e mërkurë), është mbajtur seanca e 30-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, por Kuvendi vazhdon të mbetet i pakonstituuar.

Kjo bllokadë insttiucionale ka ardhur pasi partia e parë, LVV ka propozuar për kryekuvendare Albulena Haxhiun, ndërkaq opozita nuk po e votojnë atë pasi që po e quajnë “figurë përçarëse”.

Nesër, mbahet seanca e 31-të me radhë e Kuvendit të Kosovës me qëllim konstituimin e tij. /Lajmi.net/