Abdixhiku pret në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde, flasin mbi propozimin e LDK-së për themelimin e një Qeverie Nacionale të Tranzicionit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në Selinë Qendrore ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde. Përmes një njoftimi për media nga LDK-ja, kanë thënë se gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë mbi krizën institucionale dhe ndikimin e saj në funksionimin e…

Lajme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në Selinë Qendrore ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde.
Përmes një njoftimi për media nga LDK-ja, kanë thënë se gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë mbi krizën institucionale dhe ndikimin e saj në funksionimin e rregullt të institucioneve demokratike.
Po ashtu kryetari Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Rohde mbi propozimin e LDK-së për themelimin e një Qeverie Nacionale të Tranzicionit, si një zgjidhje e përkohshme, por e domosdoshme për të tejkaluar ngërçin aktual dhe për të kthyer funksionalitetin e shtetit.
Tutje, Abdixhiku, ka ritheksuar edhe një herë qëndrimin e LDK-së se bllokada politike dhe institucionale është e papranueshme, duke nënvizuar se një situatë e tillë cenon drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve dhe pengon rrjedhën normale të proceseve shtetërore si dhe zhvillimin institucional të vendit.
“Gjatë këtij takimi kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Republikës së Kosovës, veçanërisht në proceset integruese, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe u rikonfirmua bashkëpunimi i ndërsjellë në mes të dyja vendeve dhe përkushtimi drejt avancimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/