Abdixhiku pret Harry Bajraktarin në selinë e LDK-së: Mik i madh dhe zë i fuqishëm i Kosovës në SHBA

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në Selinë Qendrore të partisë veprimtarin e njohur shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktarin, të cilin e vlerësoi si një nga zërat më të rëndësishëm të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Abdixhiku tha se kishte “kënaqësinë të presë një mik të madh të vendit”, duke…

Lajme

18/11/2025 12:14

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në Selinë Qendrore të partisë veprimtarin e njohur shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktarin, të cilin e vlerësoi si një nga zërat më të rëndësishëm të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Abdixhiku tha se kishte “kënaqësinë të presë një mik të madh të vendit”, duke theksuar rolin e jashtëzakonshëm të Bajraktarit në mbrojtjen dhe promovimin e interesave të Kosovës në arenën ndërkombëtare, transmeton lajmi.net.

Kreu i LDK-së u shpreh mirënjohës për kontributin e tij historik në afirmimin e çështjes së Kosovës. “Zëri i tij i fuqishëm, në kohët më të vështira, ka përfaqësuar me dinjitet të drejtat e popullit të Kosovës para institucioneve amerikane,” deklaroi Abdixhiku.

Ai theksoi se Bajraktari ishte mbështetës i palëkundur i Kosovës qysh në vitet e hershme dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Ibrahim Rugova, duke artikuluar kauzën e vendit para politikëbërësve amerikanë.

“E falënderoj Harry Bajraktarin për gjithçka që ka bërë e vazhdon të bëjë për Kosovën. Ai mbetet mik i madh, zë i fuqishëm dhe mbështetës i paepur i vendit tonë,” përfundoi Abdixhiku, duke nënvizuar se kontributi i tij vazhdon të jetë i pazëvendësueshëm për Kosovën.

Postimi i plotë: 

Sot, në Selinë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pata kënaqësinë të pres veprimtarin e shquar shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktarin; një nga zërat më të fuqishëm të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shpreha mirënjohjen time të thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të z. Bajraktari në afirmimin e çështjes sonë kombëtare për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës; për rolin e tij të pazëvendësueshëm në forcimin e pozitës së vendit tonë në arenën ndërkombëtare; dhe për zërin e tij të fuqishëm, i cili në kohët më të vështira dhe vendimtare ka përfaqësuar me dinjitet të drejtat e popullit të Kosovës para institucioneve amerikane.

Si mbështetës i palëkundur i Kosovës qysh në vitet e hershme, ai ka bashkëpunuar ngushtë me Presidentin Rugova, duke e artikuluar me kompetencë dhe besnikëri kauzën e vendit tonë para politikëbërësve amerikanë, në një periudhë kur Kosova kishte nevojë jetike për miq e aleatë.

E falënderoj Harry Bajraktarin për gjithçka që ka bërë e vazhdon të bëjë për Kosovën. Ai mbetet mik i madh, zë i fuqishëm dhe mbështetës i paepur i vendit tonë./lajmi.net/