Abdixhiku pesimist për një zgjidhje brenda afatit kushtetues: Kjo është gjendja fatkeqe e Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje “nuk sheh nguti për të bërë zgjidhje politike”. LVV-ja, tha ai, “nuk i lë hapësirë zhvillimit demokratik, e as fjalës së lirë të deputetëve, nëpërmjet uzurpimit edhe të ulëses së Kuvendit”. Abdixhiku nuk pret se do të ndryshojë diçka deri më…

Lajme

21/07/2025 12:12

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje “nuk sheh nguti për të bërë zgjidhje politike”.

LVV-ja, tha ai, “nuk i lë hapësirë zhvillimit demokratik, e as fjalës së lirë të deputetëve, nëpërmjet uzurpimit edhe të ulëses së Kuvendit”.

Abdixhiku nuk pret se do të ndryshojë diçka deri më 26 korrik, datën deri kur Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar që të përfundojë seanca konstituive.

“Nuk shoh dhe nuk pres ndonjë zgjidhje as në ditët e mbetura”, tha ai.

“Ajo që pritet, është që pas afatit 30-ditor të kemi një interpretim të ri nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Por ne një interpretim e kemi, siç e kemi edhe një mosrespektim të saj – që do të thotë, kemi përmbysje të rendit kushtetues. Kjo është gjendja fatkeqe e Republikës së Kosovës”, tha Abdixhiku.

Ai tha se “është e qartë se pas 30 ditëve, ky Kuvend, në qoftë se nuk konstituohet, ka huqur afatet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese dhe duhet një interpretim i ri sepse nuk ka përcaktuar as gjykata se çfarë do të ndodhë”.

Ngërçin politik në Kuvend nuk e ka zgjidhur aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili i detyroi deputetët ta konstituojnë Kuvendin. Ajo vendosi se deputetët duhet ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik.

Lëvizja Vetëvendosje po e hedh në votim çdo dy ditë një propozim për formimin e një komisioni për votim të fshehtë, i cili nuk po i merr votat e nevojshme.

Partitë tjera shqiptare argumentojnë se ky akgjykim e përjashton votimin e fshehtë, por në LVV thonë se ai e lejon këtë mënyrë.

Përpjekja e partisë e cila ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit për ta bërë votimin të fshehtë erdhi pasi Albulena Haxhiu, kandidatja e tyre për kryeparlamentare, dështoi në mënyrë të përsëritur që t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.