Abdixhiku pas vrasjes në Pejë: Femicidi në Kosovë nuk guxon të bëhet gjë e zakonshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar sot pas vrasjes së gruas në Pejë nga bashkëshorti i saj. Abdixhiku ka kërkuar nga shteti dhe organet e rendit ti mbrojnë gratë. “Ftoj të gjitha organet e rendit dhe sigurisë të veprojnë me përgjegjësi e pakompromis ndaj rastit të sotëm dhe jo vetëm. Shteti…

Lajme

16/04/2024 16:15

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar sot pas vrasjes së gruas në Pejë nga bashkëshorti i saj.

Abdixhiku ka kërkuar nga shteti dhe organet e rendit ti mbrojnë gratë.

“Ftoj të gjitha organet e rendit dhe sigurisë të veprojnë me përgjegjësi e pakompromis ndaj rastit të sotëm dhe jo vetëm. Shteti duhet të jetë mburojë për gratë. Jeta e tyre nuk guxon të mbetet jetë për mbijetesë. Nga lehtësia e posedimit të armës së zjarrit, te gjendja reaktive e institucioneve tona, kushtet strehuese të grave që kërkojnë mbrotje, e gjuha denigruese ndaj grave; problemet i kemi të shumta e veprimet plotësisht të pamjaftueshme”, ka shkruar Abdixhiku. 
Ai ka thënë se femicidi dhe vrasja e gruas në Kosovë nuk guxon të bëhet gjë e zakonshme.
“Vrasja e grave në Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese. Ende pa u bërë një javë, sot po zgjohemi me një lajm tjetër të trishtë. Gjyljeta Ukella, edhe një grua, sot është viktimë nga burri i saj. Kjo s’është gjendje normale, e ne nuk mund të normalizojmë këtë alarm nacional që na shfaqet para sysh nga dy herë në javë vetëm me reagime. Nuk mund të presim që cikli nga dhuna në reagim, deri në fatalitetin tjetër të na normalizohet. Femicidi në Kosovë nuk guxon të bëhet gjë e zakonshme; e asnjë deklaratë e sotme nuk e kthen dot prapa jetën e Gjyljeta Ukella”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook. 
Postimi i plotë: