Abdixhiku pas vendimit të Kushtetueses: Një fitore e madhe e demokracisë – Votimi i fshehtë nuk pranohet

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një fitore të madhe për demokracinë dhe për Republikën e Kosovës. Ai theksoi se Gjykata i dha të drejtë kërkesave të LDK-së, duke vërtetuar se partia e parë parlamentare kishte uzurpuar foltoren dhe kishte shkelur në mënyrë të përsëritur…

Lajme

08/08/2025 13:38

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një fitore të madhe për demokracinë dhe për Republikën e Kosovës.

Ai theksoi se Gjykata i dha të drejtë kërkesave të LDK-së, duke vërtetuar se partia e parë parlamentare kishte uzurpuar foltoren dhe kishte shkelur në mënyrë të përsëritur Kushtetutën duke imponuar votim të fshehtë, transmeton lajmi.net

Abdixhiku nënvizoi se votimi i fshehtë nuk është kushtetues dhe se tani është koha që të mundësohet demokracia e vërtetë në vend. Ai kritikoi ashpër ata që për gjashtë muaj kanë penguar formimin e institucioneve dhe kanë humbur kohë duke mos respektuar Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Në fund, kreu i LDK-së bëri thirrje për një rezistencë demokratike, duke kujtuar se Kosova ka shumë patriotë që luftojnë për të vërtetën dhe për rendin kushtetues. Ai paralajmëroi se rreziku i madh është të bëhemi si ata që e shkelin ligjin, pasi kjo do të rrënonte demokracinë dhe do ta kthente Kosovën në një projekt të dështuar.

Postimi i plotë: 

Një fitore e madhe e demokracisë!
Një fitore e madhe Republikës!
Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë të plotë kërkesave tona dhe lëndës së hartuar nga LDK.
Siç e kishim thënë, sa e sa herë, partia e parë kishte uzurpuar foltoren, me imponim kishte ndryshuar rendin e ditës dhe me kokëfortësi për plot 48 herë kishte shkelur Kushtetutën e Kosovës duke insistuar në votimin e fshehtë – para dhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Votimi i fshehtë nuk pranohet.
Jo kushtetues i konstatuar! Urdhëroheni të mundësoni demokracinë në Republikën e lirë të Kosovës.
Ky është verdikti sot.
Ky ishte qëndrimj i Lidhjes Demokratike të Kosovës nga dita e parë e deri më sot.
Fatkeqësisht, Kosova humbi kohë. Sot bëhen plot 180 ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve. Gjysmë viti i humbur nga ata që imponimin e kanë si vlerë e përçmimin si metodë – gjithsesi paditurinë për të lexuar Kushtetutën e vendimet e saja si mburrje.
Dritë, megjithatë do të ketë.
Sepse ky vend ka mjaft patriotë që e ruajnë atë; dhe atë në mënyrën e vet. Dhe sado i vështirë e i mundimshëm të duket ky mision, është jetike të mos bëhemi si ta. Ne, duhet të luftojmë për të vërtetën – duke qenë vetja! Sepse popullistët nuk fitojnë kur janë shumë, por kur ne të tjerët bëhemi si ata. Atëherë vdes rezistenca demokratike, përmbyset rendi kushtetues, dhe Republika e Kosovës kthehet në një projekt të dështuar – që duket se ka qenë gjithmonë misioni i tyre./lajmi.net/