Abdixhiku para ambasadorit të Shqipërisë ritheksoi propozimin e LDK-së për themelimin e një Qeverie të Unitetit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, prit sot në Selinë Qendrore të partisë, ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj. Sipas një njoftimi nga ana e LDK-së, gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë moskonstituimin e Kuvendit Kosovës dhe qëndrimet e LDK-së lidhur me këtë situatë. “Në këtë kontekst, kryetari Abdixhiku…

Lajme
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, prit sot në Selinë Qendrore të partisë, ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Sipas një njoftimi nga ana e LDK-së, gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë moskonstituimin e Kuvendit Kosovës dhe qëndrimet e LDK-së lidhur me këtë situatë.
“Në këtë kontekst, kryetari Abdixhiku ritheksoi propozimin e LDK-së për themelimin e një Qeverie të Unitetit, si një zgjidhje e përkohshme, por e domosdoshme për tejkalimin e ngërçit aktual politik dhe rikthimin e funksionalitetit të institucioneve të vendit. Ai nënvizoi se bllokada politike dhe institucionale është e papranueshme, ndërsa dështimi për të 27-tën herë me radhë për krijimin e shumicës parlamentare dëshmon paaftësinë e partisë fituese për të siguruar stabilitet qeverisës. Kjo situatë përbën një rrezik serioz për mirëqenien e qytetarëve dhe për ecurinë normale të proceseve shtetërore”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Abdixhiku dhe Malaj thuhet se ndanë qëndrimin e përbashkët për domosdoshmërinë e thellimit të marrëdhënieve vëllazërore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si një shtyllë themelore për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përparimin e përbashkët të dy vendeve.
“Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të Shqipërisë dhe mbetet e përkushtuar për ndërtimin e urave të bashkëpunimit në të gjitha fushat”.