​Abdixhiku në teh të shpatës, çka do të ndodh në Kuvendin e 31 janarit?

355 delegatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) do të mblidhen të shtunën e 31 janarit për të diskutuar për ofrimin e dorëheqjes së kryetarit, Lumir Abdixhiku. Se a do të kalojë apo jo votëbesimi ndaj këtij të fundit dhe a do të hapet rruga për lidership të ri ka ende paqartësi, raporton KosovaPress. Megjithëse…

Lajme

26/01/2026 15:52

355 delegatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) do të mblidhen të shtunën e 31 janarit për të diskutuar për ofrimin e dorëheqjes së kryetarit, Lumir Abdixhiku. Se a do të kalojë apo jo votëbesimi ndaj këtij të fundit dhe a do të hapet rruga për lidership të ri ka ende paqartësi, raporton KosovaPress.

Megjithëse Kuvendi është thirrur vetëm për votëbesimin ndaj Abdixhikut, anëtari i Kryesisë së LDK-së, ish-kryeministri Avdullah Hoti, shpalli kandidaturën e tij për kryetar të kësaj partie më 25 janar.

Ambicie të tilla po konsiderohen legjitime nga bashkëpartiakë të Hotit, megjithatë theksojnë se ky është një proces tjetër që derivon nga vota pro apo kundër Abdixhikut.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, duke shprehur mbështetjen ndaj Abdixhikut, thotë se asnjë parti s’e ka komoditetin t’i ndryshojë kryetarët pas çdo cikli zgjedhor.

Sipas tij, nëse Kuvendi vendos ndryshe, atëherë hapet gara dhe mund të paraqiten edhe kandidatura të tjera, krahas Hotit për kryetar të LDK-së.

“Nuk jam në pozicion të komentimit të kandidaturave të tjera. Do t’i jap mendimet e mia në Kuvend sa i përket të ardhmes së LDK-së. Normalisht, në demokraci çdo kandidaturë dhe ambicie është legjitime. Në këtë rast mund të kemi kandidatura të ndryshme ose shfaqje të ambicieve të ndryshme gjatë procesit, por ne duhet ta shohim fillimisht aspektin procedural se për çka po thirret Kuvendi dhe normalisht rezultati i këtij Kuvendi e prodhon diskutimin për të ardhmen e LDK-së. Normalisht se do të votoj për stabilitet të lidershipit. Asnjë parti s’e ka komoditetin që t’i ndryshojë kryetarët çdo katër-pesë vite apo pas çdo cikli zgjedhor. Kjo pastaj prodhon jostabilitet”, thotë ai.

Ndryshe nga Rukiqi, ish-zyrtari i LDK-së, Sadri Ferati, adreson pakënaqësi me mungesën e një analize të thellë para mbajtjes së Kuvendit, duke paralajmëruar se Konventa mund të prodhojë tensione të reja.

“Kam pritur më shumë nga takimi i Kryesisë edhe sa i përket një analize paraprake të krejt situatës, gjendjes dhe strategjisë së aktorëve, në mënyrë që në Konventë të shkohet me një qartësi. Konventa ndonjëherë di të japë rezultat, por ndonjëherë di edhe të krijojë tensione e pakënaqësi. Nuk është pastaj çudi që të dilet të ndarë”, thotë ai.

Në anën tjetër, analisti politik Adrian Zeqiri thotë  se kriza në LDK nuk lidhet vetëm me emrat e kryetarëve të mundshëm, por me drejtimin ideologjik dhe filozofinë politike të partisë.

Ai paralajmëron se një ndarje e re brenda LDK-së do ta vinte në pikëpyetje ekzistencën e saj si subjekt politik.

“Mua më duken variacione të të njëjtit motiv. Edhe zoti Hoti, zonja Bajrami dhe zoti Abdixhiku më duken variacione në kuadër të së njëjtës logjikë që është këtu ku jemi. Do të thotë, nëse ambicia e pretendentëve për liderë të LDK-së është që ta shtojnë partinë për dhjetë-njëzet mijë vota më shumë, kjo mund të bëhet, por kjo nuk i sjell ndryshim të madh LDK-së. LDK-ja në kohët e fundit është duke rënë pre e trashëgimisë së vet politike. Rugovizmi dhe institucionalizmi janë këto shtylla që janë pjesë e trashëgimisë së LDK-së, mirëpo këto e mbajnë në një kornizë elektorale të njëjtë, plus-minus 20 mijë vota gjatë cikleve zgjedhore. Për të kaluar prej një trashëgimie të viteve ’90 të LDK-së duhet të bëhet një rithemelim komplet i kësaj partie. Është e rëndësishme ndryshimi i filozofisë së punës së LDK-së sesa a vjen zoti Hoti, zonja Bajrami apo zoti Abdixhiku në krye të partisë. Duhet të kalohet prej një filozofie politike që e ka trashëguar LDK-ja me njerëz përtej këtij grupi të njerëzve që në një mënyrë ose tjetër kanë udhëhequr LDK-në në këto dhjetë vitet e fundit. Nëse LDK-ja e pëson edhe një thyerje, një ndarje të madhe, atëherë jemi duke folur për një situatë ku vihet në pikëpyetje ekzistenca e saj si parti politike”, thotë ai.

Të hënën, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, derisa bëri të ditur ftesën që ua ka bërë delegatëve për Kuvendin, tha se kjo parti nuk frikësohet nga anëtarësia e vet, as nga vota e as nga gara.

Sipas tij, vendimet i ka marrë gjithmonë në Kuvend, mes njerëzve të vet, hapur, me debat dhe pa frikë dhe në fund, me shumicë. Këtë, sipas Abdixhikut, e kanë bërë edhe në kohë shumë më të vështira se kjo.

Kjo situatë në LDK po rrjedh si pasojë e rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku kjo parti ka shënuar rezultatin e dytë më të dobët në histori, me vetëm 13,24