Abdixhiku në Pejë, uron Muhaxherin për fitoren: Peja nuk e duron dot arrogancën, as mashtrimin
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka shkuar në Pejë për t’i uruar mandatin e ri në krye të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit. Ai u shpreh fort i lumtur për pritjen që iu bë atje, duke theksuar se ka kohë që nuk është ndier kaq i përmbushur. “Për një kafe urimi në Pejë. Për 62%…
Lajme
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka shkuar në Pejë për t’i uruar mandatin e ri në krye të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit.
Ai u shpreh fort i lumtur për pritjen që iu bë atje, duke theksuar se ka kohë që nuk është ndier kaq i përmbushur.
“Për një kafe urimi në Pejë. Për 62% mbështetje për Gaz Muhaxherin dhe LDK-në. Për festën e vonuar në këtë qytet të bukur e përplot qytetari.
Faleminderit Pejë për pritjen e sotme. E di që ju kam në krah gjithëherë. Ka kohë që s’jam ndjerë kaq i përmbushur. Të falat e urimet për fitoren në Prishtinë, i mora me veti e do t’i përcjellë tek të gjithë!
Sa shumë gjeta pozitivitet mes njerëzve të këtij qyteti fisnik, që me kulturë, maturi e qytetari – gjithsesi me plot përkushtim – i dhanë përgjigje popullizmit e kryepopullistit belaxhi”, shkroi kreu i LDK-së në Facebook.
Ndër të tjera, Abdixhiku tha se Peja nuk e duron arrogancën e as mashtrimin e atyre që, sipas tij, e kanë politikën vetëm instrument të frustrimit.
“Peja nuk e duron dot arrogancën, as mashtrimin, as zhurmën boshe të atyre që e kanë politikën vetëm instrument të frustrimit. 62% është deklarim estetik! Faleminderit Pejë! Faleminderit për dashurinë, për besimin dhe për mesazhin që i dhatë gjithë Kosovës”, përfundoi ai.