Abdixhiku mirëpret përgjigjen e Presidentes

Presidentja Vjosa Osmani i ka kthyer përgjigje kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, i cili iu drejtua asaj me kërkesën për “sugjerime” pasi e ndërpreu seancën për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve. Në këtë letër, Osmani thotë se Kushtetuta i detyron të jetësojnë e jo të bllokojnë…

Lajme

16/04/2025 16:43

Presidentja Vjosa Osmani i ka kthyer përgjigje kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, i cili iu drejtua asaj me kërkesën për “sugjerime” pasi e ndërpreu seancën për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.

Në këtë letër, Osmani thotë se Kushtetuta i detyron të jetësojnë e jo të bllokojnë procese.

“Si pikënisje, konsideroj se duhet pasur parasysh, se duke u bazuar në frymën e Kushtetutës, dispozitat që ndërlidhen me konstituimin e institucioneve shtetërore duhet të interpretohen në mënyrë që ta mundësojnë – dhe jo ta pengojnë – themelimin dhe funksionimin kushtetues të tyre”, thuhet në letër.

Menjëherë për këtë ka reaguar edhe i pari i LDK-së, Lumir Abxhiku i cili ka mirëpritur përgjigjen e Presidentes

Abdixhiku përmes një postimi në facebook, ka thënë se Seanca Plenare nuk mbahet peng e tekeve bllokuese e intencës ofenduese të partisë së parë.

“LDK do të vazhdojë të sillet në mbrojtje të ligjeve e Kushtetutës dhe sëkëndejmi të vet Republikës. Këtë punë kanë deputetët e vendit. Nesër, sërish, përfaqësuesit tanë do të kërkojnë dorëheqjen e gjithë atyre që me zor duan t’i mbajnë dy poste përjashtuese në të njëjtën kohë. Do ta kërkojnë si obligim ligjor, si rrjedhë kushtetuese, si logjikë demokratike! Republika mbi të gjitha”, ka shkruar i pari i LDK-së ndër të tjera. /Lajmi.net/