Abdixhiku: Me plot vullnet, me plot zemër, me plot bindje, LDK dëshiron të votoj kundër çdo kandidati që e propozon VV

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku është deklaruar për media pas takimit që pati me presidenten e vendit, Vjosa Osmani. Abdixhiku e ka mirëpritur ftesën e presidentes dhe ka thënë se LDK do të votoj kundër çdo kandidati që e propozon VV, shkruan lajmi.net “Mirëpresim ftesën e znj.Osmani, mirëpresim përpjekjen e saj për takim, tashmë e…

Lajme

02/07/2025 16:20

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku është deklaruar për media pas takimit që pati me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Abdixhiku e ka mirëpritur ftesën e presidentes dhe ka thënë se LDK do të votoj kundër çdo kandidati që e propozon VV, shkruan lajmi.net

“Mirëpresim ftesën e znj.Osmani, mirëpresim përpjekjen e saj për takim, tashmë e dini pozicionin tonë të LDK-së sa i përket çështjes aktuale të konstituimi të institucioneve të Republikës. Ne e kemi një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që është shumë i qartë, sa i përket mënyrës së votimit, por mbi të gjitha është i qartë sa i përket thelbit të problemit. Thelbi i problemit është që i takon partisë së parë, grupit më të madh parlamentar, deputetit Kurti si prijës i këtij grupi, që të propozoj por edhe njëkohësisht të krijoj shumicën parlamentare. Ne mirëpresim që zgjidhja të bëhet përmes insistimit për shumicë politike dhe për respektim të domosdoshëm të procedurave kushtetuese, që tashmë janë edhe rregulla ligjore. Tash jemi para disa rregullave ligjore sepse ka interpretim të Gjykatës Kushtetuese që e thotë se zgjedhja e kryetarit të kuvendit bëhet sipas praktikave parlamentare të deritanishme. Praktikat parlamentare të deritanishme janë të qarta, votimi është i hapur, gjithmonë ka qenë i hapur. Partia e parë duhet të propozoj dhe të siguroj shumicën për kandidatin që e propozon. LDK nuk ka çështje të emrave sa i përket kandidatit, LDK ka qëndrim parimor dhe me plot vullnet, me plot zemër, me plot bindje dëshiron të votoj kundër kandidatëve të VV-së. Deri më tani kemi pasur një procedurë dhe një praktikë paraprake, më pas kemi pasur një veprim arbitrar nga më i moshuari i kuvendit, i cili pa pyetur askënd, pa e respektuar asnjë procedurë, ka vendosur një ditë, pas 7 seancave që të kaloj në votim të fshehtë dhe kjo përbën shkelje kushtetuese. Le të presim takime të tjera, ftojmë për konsensus, ftojmë për unitet, aq shumë e duam unitetin, sa që kemi dal me propozim për qeveri të unitetit, me 15 pika konkrete për zgjidhjen aktuale.”, tha fillimisht Abdixhiku.

Tutje, kryetari i LDK-së kritikoi eksponentët e VV-së që po duan të interpretojnë interpretimin e Kushtetueses.

“Absurditeti i gjendjes së tanishme është interpretimi i interpretimit. Ai interpretim është i shkruar në gjuhën shqipe. Nëse Gjykata Kushtetuese thotë se të parit i takon propozimi dhe krijimi i shumicës s’kemi çka interpretojmë më tepër.”, shtoi ai.

I pari i LDK-së foli për ftesat e presidentes për takim.

“Takimet janë të mirëseardhura, përfshirja e presidentes është e mirëseardhur.”, u shpreh ai.

Abdixhiku kritikoi Kurtin për qëndrime e tij, ku tha se ai nuk po bën kompromis.

“Deputeti Kurti po qeverisë me rezultat të para 4 viteve, i ka pasur 50 përqind para 4 viteve prandaj ka qenë kryeministër, tash nuk i ka, nuk ka as legjitimitet, besa pak moral politikë, si mund të mbash një detyrë kur nuk të do populli.”

“Këto janë qëndrime paraprake që e kanë shkaktuar krizën, nuk janë kompromise. Nuk ka lëvizje prej pozicioneve që e kanë shkaktuar krizën. Nuk mund të quash kompromis insistimin e pozicionit tënd paraprakë. “, tha ai./lajmi.net/