“Abdixhiku ka pranë vetës një mësues të keq” – Si i priti VV-ja deklarimet e kreut të LDK-së sot pas letrës që ia dërgoi?
Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar qeveri të tranzicionit me të gjitha partitë shqiptare, duke e refuzuar kështu edhe ftesën e kreut të VV-së Albin Kurti për koalicion. Këtë e ka konfirmuar sot gjatë ditës Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media. “Ju kam njoftuar se nuk mund të flas për partitë tjera, po flasim…

Lajme
Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar qeveri të tranzicionit me të gjitha partitë shqiptare, duke e refuzuar kështu edhe ftesën e kreut të VV-së Albin Kurti për koalicion. Këtë e ka konfirmuar sot gjatë ditës Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media.
“Ju kam njoftuar se nuk mund të flas për partitë tjera, po flasim për Qeveri të domosdoshme për Kosovën. Me kryeministër dhe kabinet unikues. Para se të shkojmë në zgjedhje na duhet një qeveri kombëtare, pjese e secilës jemi te gjitha partitë politike shqiptare”, deklaroi Abdixhiku.
Menjëherë pas këtij refuzimi, eksponentë të VV’së janë lëshuar në sulme kundër LDK’së.
Deputeti Armend Muja ka reaguar duke thënë se “humbësi nuk i dërgon ftesa fituesit”, ndërsa tha se kjo është arsyeja edhe pse Vetëvendosje e PDK s’i janë përgjigjur kësaj ftese nga partia e tretë që doli në zgjedhje.
Si duket ky postim i Mujës i ka pëlqyer ish-zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili e shpërndau në profilin e tij në Facebook.
Derisa Mefail Bajqinovci pati një video mesazh për LDK’në.
Përveç që përshëndeti miqtë e tij në Facebook, mes tjerash ai tha se LDK sot e dëshmoi se nuk mund të dalë jashtë kontrollit të grupeve të interesit.
”…Shkurt e shqip LDK’në e kontrollon dikush tjetër.”, shtoi Bajqinovci.
Akuza më të rënda kishte deputeti Adnan Rrustemi, i cili tha se LDK është e kapur nga të katër anët.
“Kot se kot. E pamundur që LDK të jetojë pa PDK-në. Ani Qeveri tranzicioni, nga vendi i tretë e kundër partisë së parë që e vetme ka fituar pothuajse sa të tria bashkë. LDK është e kapur nga të katër anët. Nga oligarkët që e kanë financuar e ia shkruajnë statuset e ia trasojnë qëndrimet e deri tek PDK pa të cilën nuk po mundet”, ka shkruar Rrustemi.
Edhe deputeti i tjetër i Vetëvendosjes, Dimal Basha ka reaguar pas propozimit të kryetarit të LDK’së, Lumir Abdixhiku “për qeveri të transicionit”.
Basha foli para shefit të tij, duke e refuzuar propozimin e Abdixhikut.
“Ti vazhdo me ta, ne jo!”, shkroi Basha.
“Ti vazhdo me ta, ne jo!”- Dimal Basha flet para shefit të tij, e refuzon propozimin e Abdixhikut.
E reagime pati edhe nga Enver Dugolli, i cili tha se Abdixhiku ka pranë vetes një ”mësues të keq”.
Ndryshe, Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ka dërguar letër kreut të VV-së, Albin Kurtit, si përgjigje ndaj letrës së Kurtit që ia dërgoi dje, ku i kërkoi bashkëpunim në qeverisje. Në letër Abdixhiku ka refuzuar një koalicion mes dy partive.
Në këtë letër, Abdixhiku ka kërkuar që të bëhet një qeveri e tranzicionit dhe i ka përmendur arsyet përse nuk mund të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje.
Abdixhiku ia nis letrën Kurtit: S’ka arsye për takim veç me të, t’i ftojmë edhe liderët tjerë
“LDK zgjidhjen dhe daljen nga kjo bllokadë e vlerëson si urgjente dhe të rëndësisë nacionale. Zgjidhja kërkon përgjegjshmëri, unitet dhe vetëdije të lartë politike nacionale në lidhje me rrethanat politike në vend dhe në skenën ndërkombëtare”, thuhet ndër të tjera në këtë letër.
Mungesa e besimit e rrezikimi i aleancave dhe demokracisë, janë disa prej arsyeve përse nuk mund të bëhet bashkëpunimi mes dy partive.
Gjatë konferencës për media, Abdixhiku ka pohuar se Ramush Haradinaj është kryetari i parë që ka pranuar këtë ofertë.
Abdixhiku ka thënë se i ka nisur një letër edhe kreut të VV-së Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi dhe se pret përgjigje nga ta.
Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës është në një bllokadë, pasi partia në pushtet nuk i ka numrat për emrin e Albulena Haxhiut si kandidate për Kryetare të Kuvendit.
Të hënën ishte përpjekja e 11-të për konstituimin e Kuvendit, por edhe kësaj radhe pa sukses Nesër në ora 10:00 deputetët do të mblidhen sërish për të gjetur zgjidhjen në konstituimin e Kuvendit.