Abdixhiku homazhe në Prekaz, takohet edhe me bacën Rifat

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka bërë homazhe në Prekaz me rastin e Epopesë së UÇK-së. Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Abdixhiku ka thënë se të kujtosh e shënosh Epopenë e UÇK-së, do të thotë të kujtosh e shënosh vet fundamentin e shtetit të Kosovës dhe përpjekjes kolektive…

Lajme

06/03/2025 12:52

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka bërë homazhe në Prekaz me rastin e Epopesë së UÇK-së.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Abdixhiku ka thënë se të kujtosh e shënosh Epopenë e UÇK-së, do të thotë të kujtosh e shënosh vet fundamentin e shtetit të Kosovës dhe përpjekjes kolektive për liri.

“Të kujtosh e shënosh Epopenë e UÇK-së, do të thotë të kujtosh e shënosh vet fundamentin e shtetit të Kosovës dhe përpjekjes sonë kolektive për liri. Do të thotë të kujtosh e shënosh gjithë sakrificën, qëndresën e vet kushtrimin e popullit të tonë të reflektuar në një familje të vetme, atë që sot na qëndron si tempull peligrinazhi për brezat e rinj, e që një çerek shekulli më parë na qëndronte si thirrje e rrugës sonë finale drejt lirisë”, ka shkruar Abdixhiku.

Tutje ai tha se qëllimi i shuarjes së trungut familjar të Jasharajve, një çerek shekulli më parë, ishte qëllim i shuarjes së vet popullit shqiptar në Kosovë.

Teksa thotë se qëndresa e tyre atëherë, ishte rilindje kombëtare.

“Rilindja e tyre sot, si familje, mes brezave të rinj pasardhës të Jasharajve, është qëndresë e jona që na mbanë neve në rrugën përpara”, shkroi Abdixhiku. /Lajmi.net/