Abdixhiku: Gjykata Kushtetuese vërtetoi se veprimet e LVV-së ishin shkelje flagrante të Kushtetutës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si konfirmim të qëndrimeve të hershme të partisë së tij për bllokimin e institucioneve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Kryesuesi i Kuvendit. “Siç edhe pritej, për secilin me mendje institucionale, Gjykata Kushtetuese sot vërtetoi qëndrimin e…

Lajme

18/08/2025 16:27

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si konfirmim të qëndrimeve të hershme të partisë së tij për bllokimin e institucioneve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Kryesuesi i Kuvendit.

“Siç edhe pritej, për secilin me mendje institucionale, Gjykata Kushtetuese sot vërtetoi qëndrimin e LDK-së – insistimin tonë të hershëm – se veprimet e Kryesuesit të Kuvendit dhe Lëvizjes Vetëvendosje përbënin shkelje flagrante të Kushtetutës, duke rezultuar në bllokimin e institucioneve të vendit”, tha Abdixhiku.

Ai kujtoi se për 48 herë rresht, sipas tij një rekord i turpshëm në historinë parlamentare, procesi i zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit ishte penguar përmes procedurave të jashtëligjshme.

Sipas Abdixhikut, vendimi i Kushtetueses ka riafirmuar qartë se as Kryesuesi më i moshuar e as partia më e madhe nuk kanë të drejtë të veprojnë jashtë Kushtetutës apo të shpikin procedura që minojnë demokracinë dhe ligjshmërinë.

Ai shtoi se aktgjykimi është një fitore e madhe jo vetëm për LDK-në, por për Republikën e Kosovës dhe çdo qytetar që kërkon institucione funksionale e të ndershme.

“Mbi Kushtetutë nuk ngrihet askush. Mosrespektimi i këtij vendimi nuk është opsion”, përfundoi Abdixhiku.