Abdixhiku flet pas ftesës së Kurtit për takim e koalicion: Do t’i lus edhe njerëzit tanë që të mos e trajtojnë me arrogancë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është deklaruar pasi kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti i çoi sërish ftesë për t’u takuar e këtë herë edhe për të diskutuar direkt për një koalicion të mundshëm. Abdixhiku pas daljes nga Kuvendi tha se ende nuk ka pasur një diskutim të plotë me deputetët e partisë…

Lajme

05/05/2025 12:50

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është deklaruar pasi kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti i çoi sërish ftesë për t’u takuar e këtë herë edhe për të diskutuar direkt për një koalicion të mundshëm.

Abdixhiku pas daljes nga Kuvendi tha se ende nuk ka pasur një diskutim të plotë me deputetët e partisë dhe premtoi se do ta shqyrtojë letrën në zyrë përpara se të japë një përgjigje.

“Asnjë diskutim nuk kemi pasur ende. Ishim në drekë me deputetët. Më lejoni të shkoj në zyrë, ta lexoj letrën dhe do të japim përgjigje me kohë. Do t’i lus edhe njerëzit tanë që të mos e trajtojnë me arrogancë. Do të kemi një përgjigje zyrtare, ashtu siç i takon një partie,” ka thënë Abdixhiku.

Në ftesën e sotme që Kurti i dërgoi Abdixhikut kishte një gjuhë krejtësisht ndryshe nga ajo që jemi mësuar të dëgjojmë e shohim nga kreu i VV-së drejtuar liderëve të tjerë të partive politike në vend.

Madje ai nuk e përjashtonte në asnjë formë mundësinë e bashkëpunimit me LDK-në, duke thënë se nëse koalicioni nuk ndodhë tani, do të ndodhë me patjetër pas zgjedhjeve të reja.

Mbetet të shihet nëse LDK-ja do të ndryshojë qëndrim këtë herë kur bëhet fjalë për koalicion./Lajmi.net/