AAK: Telashet në arsim janë të mëdha, kërkohet forumi arsimor

Aleanca për Ardhmërisë së Kosovës (AAK), ka vlerësuar se problemet në arsim, duke filluar me atë para fillor deri në arsimin universitar janë serioze dhe po ndikojnë në ngritjen e analfabetizmit në Kosovë. Për këtë arsye, AAK po kërkon themelimin e forumit arsimor gjithëpërfshirës të institucioneve dhe organizatave të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare për të garantuar një sistem arsimor efektiv.

Lajme

18/10/2015 14:27

Udhëheqësi i departamentit të arsimit në AAK, Salih Jonuzaj, në një konferencë për media, tha se arsimi në Kosovë është duke u përballur me problemet e njëjta sikur ato të viteve të kaluara. Ai tha se telashet në arsim janë të mëdha, duke theksuar edhe vlerësimin në universitet.

Përfaqësues të AAK-së, kërkuan themelimin e forumit arsimor gjithëpërfshirës të institucioneve dhe organizatave të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare për të garantuar një sistem arsimor efektiv.

“Për fat të keq problemet thuajse se kanë mbet të njëjta. Duke iu referuar arsimit para universitar, tani është fillimi jo me kohë si çdo shkolla, fillimi i viti të ri shkollor….Kemi grupet e margjinalizuara që 95 për qind e tyre nuk e ndjekin shkollën, që është me të vërtet një impakt direkt në ngritjen e shkallës së analfabetizmit…Ka shumë telashe tjera të arsimit universitar, sidomos me vlerësimin. Ne vazhdimisht e kemi shty përpara çështjen e themelimit të një zyre për vlerësim, gjegjësisht një Agjencion për vlerësim që është organogram i MASHT, pasi që ai nuk është realizuar, komision kombëtar për vlerësim do ta përmirësonte shumë cilësinë e vlerësimit në Kosovës, pika më e dobët e vlerësimit, në të gjitha nivelet, prej arsimit para fillor, deri në arsimin universitar. Kemi telashe serioze me arsim”, tha Jonuzaj.

Shkëmbimi i letrave të hapura mes rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu dhe ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka nxitur pakënaqësi edhe për Jonuzaj. Ai thotë se një komunikim i tillë ndërmjet dy përfaqësuesve të arsimit është një gjest jo i mirë.

“Është jashtëzakonisht gjest jo i mirë që rektori me ministrin komunikojnë me letër të hapur …Nuk jemi ndi mirë që dy persona kyç të politikave të arsimit komunikojnë me letra të hapura. Me thënë të drejtën ministri duhet t’i kryej të gjitha obligimet që ia mundëson ligji, kurse po ashtu rektori e ka ligjin dhe e ka statusin, dhe ata duhet të ulen bashkë dhe të bashkëpunojnë për të mirën e Universitetit”, tha Jonuzaj.

Se politika duhet të qëndroj larg Universitetit e thotë profesori i Universitetit të Prishtinës, Muahmet Malaj. Ai tha se universiteti duhet të reflektojë në frymën akademike, dhe të jetë mbi partiake dhe mbiregjionale.

Edhe Malaj thotë se duhet të krijohet forum i cili duhet të jetë akademi dhe mbi partiak.

“Politika është kuptuar që duhet të largohet nga Universitetit, në anën tjetër Universiteti absolutisht duhet ta reflektojë atë frymën akademike, të jetë mbi partiak, të jetë edhe mbi regjional, ta shtojë frymën e bashkëpunimit me jashtë ndoshta elementi kryesor që i ka munguar universitetit është reformimi në pajtimi ekonomik që e ka Kosova. Prandaj, unë pajtohem me rastin e krijimit të një forumi i cili do të jetë kryesisht akademi, mbi partiak, mbi regjional edhe me akterë të jashtëm, me rastin e reformimit të Universitetit nga ana e programeve arsimore të merren parasysh rrethanash shoqërore dhe ekonomike që i ka Kosova”, ka thënë Malaj.

Jonuzaj tha se për opinionin e gjerë tani është krijuar një traditë negative që shumë shkolla të mos fillojnë mësimin me kohë e që këto or ë të humbura nuk kompensohen. Ai tha se kësaj i shtohet edhe zhvillimi i mësimit në tri turne në shumë komuna të Kosovës, e që në rrethana të tilla, nuk mund të bëhet fjalë për cilësi por për mbijetesë të arsimit./KP