AAK: Reforma e shumëpërfolur në sektorin e ujit nga Kurti ka mbetur vetëm në letër, në 2024’tën janë humbur rreth 100 miliardë litra ujë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se politizimi i sektorit të ujit po kushton miliarda litra ujë të humbur. AAK thotë se në vitin 2021 Kurti kishte premtuar reformë në sektorin e ujit, po pas katër viteve rezultatet janë alrg pritshmërive. “Kur në vitin 2021 Kryeministri Kurti premtoi një reformë të thellë në sektorin…

Lajme

03/06/2025 16:34

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se politizimi i sektorit të ujit po kushton miliarda litra ujë të humbur.

AAK thotë se në vitin 2021 Kurti kishte premtuar reformë në sektorin e ujit, po pas katër viteve rezultatet janë alrg pritshmërive.

“Kur në vitin 2021 Kryeministri Kurti premtoi një reformë të thellë në sektorin e ujit, publiku priste një ndryshim rrënjësor. Ai u përfshi drejtpërdrejt në procesin e përzgjedhjes së bordeve të kompanive të ujësjellësit, madje duke ftuar kandidatë potencialë në zyrën e tij, edhe para se të merrej vendimi zyrtar për emërimin e tyre. Pa dyshim, ky ishte një veprim që nuk ishte ndërmarrë më parë nga asnjë kryeministër. Por sot, katër vite më vonë, në përfundim të mandatit të kësaj qeverie, rezultatet janë shqetësuese dhe shumë larg pritshmërive.”

AAK thotë se përveç KRU “Bifurkacioni” dhe KRU “Gjakovë”, të gjitha kompanitë kanë rritur humbjet e ujit.

Sipas AAK’së, gjatë vitit 2024 janë humbur rreth 100 miliardë litra ujë.

“Të dhënat zyrtare të raportuara nga vetë kompanitë në Ministrinëe Ekonomisë tregojnë se situata është përkeqësuar ndjeshëm. Me përjashtim të KRU Bifurkacioni dhe KRU Gjakova, të gjitha kompanitë e ujësjellësit në Kosovë kanë rritur humbjet e ujit, duke arritur një mesatare mbi 60%. Vetëm gjatë vitit 2024 janëhumbur rreth 100 miliardë litra ujë – një sasi e frikshme për një vend që përballet me sfida të mëdha në menaxhimin e burimeve ujore. Zvogëlimi i humbjeve të ujit ka qenë gjithmonë një sfidë për këtë sektor, por asnjëherë më parë ato nuk kanë qenë kaq të larta. Madje, para vitit 2021, disa kompani kishin filluar të shënonin përmirësime. Kjo e bën edhe më të pashpjegueshme përkeqësimin e situatës, që sipas eksperteve të fushës, lidhet me qeverisjen joefikase dhe politizimin e skajshëm të bordeve dhe menaxhmenteve.”

AAK thotë se mungon reagim institucional nga ARRU.

“Me gjithë përkeqësimin e situatës në sektorin e ujit, mungon një reagim institucional nga ARRU, ndërsa edhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm duket se nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim për të shqyrtuar nëse investimet dhe pagesat e qytetarëve po administrohen në mënyrë transparente dhe efikase.”

AAK shton se reforma e Kurtit ka mbetur vetëm në letër.

“Reforma e shumëpërfolur nga Kurti ka mbetur vetëm në letër, ndërkohë që sektori po përballet me një krizë serioze të menaxhimit. Kjo gjendje jo vetëm që dëmton interesin publik, por vë në rrezik edhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Nëse nuk ndërhyhet menjëherë për të rikthyer standardet profesionale dhe përgjegjshmërinë institucionale, problemet aktuale mund të marrin përmasa të pakontrollueshme në të ardhmen.”