AAK reagon ndaj deklaratës së Haxhiut: Merru me lidhjet e shefit tënd e me të shkuarën e tij, Haradinaj është hero e luftëtar kundër Serbisë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pas deklaratës së ministres Albulena Haxhiu se Ramush Haradinaj ka lidhje me Serbinë. Ajo sot në një konferencë për media ngriti dyshime se pse Prokuroria nuk e ka ftuar Haradinajn për intervistim, shkruan lajmi.net. “Ku ka qenë kryeprokurori Isufaj kur Ramush Haradinaj thotë se ‘kryeministri Kurti është i…

Lajme

30/12/2024 15:19

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pas deklaratës së ministres Albulena Haxhiu se Ramush Haradinaj ka lidhje me Serbinë.

Ajo sot në një konferencë për media ngriti dyshime se pse Prokuroria nuk e ka ftuar Haradinajn për intervistim, shkruan lajmi.net.

“Ku ka qenë kryeprokurori Isufaj kur Ramush Haradinaj thotë se ‘kryeministri Kurti është i lidhur me Serbinë’? A e kanë ftuar Haradinajn për këtë deklaratë? Është një deklaratë e rëndë, pasi po akuzon një kryeministër. Sigurisht që jo, sepse dalin lidhjet e Ramushit me Serbinë dhe me terroristët që e prisnin në zyrë, siç është Milan Radojiçiç”, tha Haxhiu para gazetarëve.

AAK përmes një komunikate për media ka thënë se vetëm Kosova ka një ministre që e sulmon gjyqësor të shtetit të vet. 

Komunikata e plotë pa ndërhyrje:

Veç Kosova e ka një ministre të drejtësisë që i fut hundët gjithkund. Nuk ka vend tjetër ku ministri i drejtësisë e sulmon systemin gjyqësor të shtetit të vet. Ajo, sa ishte në opozitë, ka qenë sinonim i personit që ka shkelur ligjet e vendit e s’ka lënë gjyqtar apo prokuror pa e sulmuar. Dhe prandaj është emëruar ministre e drejtësisë që misionin e partisë së vet e që është shkatërrimi i sistemit të drejtësisë, ta çojë deri në fund.
Sa merret me kopalla, ajo është mirë të japë përgjigje se çka ndodhi me rastin Dehari, si u zhduken e si u gjetën mostrat. Cka ndodhi me gjuajtjen e Kuvendit me Zollë nga bashkëpartiakët e saj.
Si u përfshinë matrapazët ordinerë në aferën e vjedhjes së miellit e vajit.
Le të merret me Martin Berishaj e Nagip Krasniqin e të mos i marrë në mbrojtje.
Më në fund ajo duhet t’i tregojë popullit të Kosovës, se pse Kryetari i Partisë së saj, sot Kryeministër, nuk i përgjigjet ftesës së Prokurorisë për t’u intervistuar, por e sfidon drejtësinë e Shtetit.
Ka shumë përgjigje që duhet të japë kjo ministre, përpara se të merret me propagandë të nivelit të ulët.
Ramush Haradinaj ka qenë dhe mbetet hero e luftëtar kundër Serbisë e për lirinë e vendit të vet, të cilin sot e poshtërojnë njerëz si kjo minstre. Përpara se të shpifë për lidhjet e Ramush Haradinajt me Serbinë, le të merret me lidhjet e shefit të vet e me të shkuarën e tij, për të cilën kanë dalë edhe informata e që përflitet gjithandej.