AAK nominon Ramush Haradinajn për kryeministër – “Krah Teje” sllogani për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar sot se Këshilli i Përgjithshëm i partisë e ka nominuar atë kandidat për kryeministër dhe bartës të listës për zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit 2025. Ai ka prezantuar gjithashtu listën prej 110 kandidatëve për deputetë, e cila është hartuar sipas kritereve rajonale, profesionale…

Lajme

05/12/2025 17:57

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar sot se Këshilli i Përgjithshëm i partisë e ka nominuar atë kandidat për kryeministër dhe bartës të listës për zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit 2025.

Ai ka prezantuar gjithashtu listën prej 110 kandidatëve për deputetë, e cila është hartuar sipas kritereve rajonale, profesionale dhe gjinore.

Sllogani i AAK-së në këto zgjedhje është “Krah Teje”, ndërsa programi zgjedhor bazohet mbi tri shtylla kryesore: qëndrueshmëria dhe trashëgimia, mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik, si dhe siguria dhe integrimi euro-atlantik.

Programi ekonomik parashikon: rritje vjetore të ekonomisë prej 7%, rritje të GDP-së nga 12 në 14 miliardë euro gjatë mandatit, rritje të buxhetit nga 3.3 miliardë euro në vitin 2025 në 6.1 miliardë euro në vitin e fundit të mandatit katërvjeçar, rritje të pagave dhe pensioneve me 31% në vlera nominale për vitin 2026 (pagë mesatare 1,100 euro, pension 500 euro) dhe rritje të investimeve kapitale nga 61% në vitin e parë deri në 240% në vitin 2029.

Haradinaj ka theksuar se AAK synon rikthimin e normalitetit në vend, zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët, forcimin e partneriteteve strategjike me SHBA dhe integrimin euro-atlantik, me fokus në sigurinë dhe ruajtjen e shtetit të Kosovës./lajmi.net/