AAK mohon prishjen e koalicioneve me LDK’në
Nënkryetari i AAK'së, Ahmet Isufi, thotë për lajmi.net se nuk është e vërtetë që kjo parti të ketë kërkuar prishjen e koalicioneve me LDK’në nëpër komuna, pas tensionimit të ditëve të fundit. Sipas tij, degët janë autonome për të vendosur për koalicione.
Lajme
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mohuar mundësinë e prishjes së koalicioneve me Lidhjen Demokratike të Kosovës nëpër komunat ku më herët këto parti kanë lidhur marrëveshje bashkëpunimi.
Nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi, i ka cilësuar si “spekulime mediale” lajmet për mundësinë që sot AAK dhe LDK t’i japin fund bashkëpunimit parazgjedhor nëpër disa komuna të Kosovës.
“Të gjitha janë spekulime mediale. Asgjë nuk ka”, ka thënë Nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi, për lajmi.net.
“Degët janë autonome që të vendosin për koalicione nëpër komuna”, është shprehur ai.
Pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, LDK dhe AAK kanë lidhur marrëveshje koalicioni në Ferizaj, Rahovec, Vushtrri dhe Lipjan. Këto dy parti do të garojnë kundër njëra-tjetrës në Pejë, Suharekë dhe Obiliq.
Raportet AAK-LDK janë tensionuar ditëve të fundit pas akuzave të Kandidatit të LDK’së për Kryetar të Pejës, Gazmend Muhaxheri se njerëz të AAK’së janë përgjegjës për disa vrasje të pasluftës në këtë komunë.
Dje, rivali i Muhaxherit, kandidati i AAK’së për Kryetar të Pejës Ali Berisha, ka thënë për lajmi.net se AAK nuk e ndjen veten përgjegjëse për këto vrasje, ndërsa Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj ka paralajmëruar padi ndaj këtyre akuzave.