AAK mobilizohet për një protestë vendimtare kundër Qeverisë
Këshilli Drejtues i AAK-së ka mbajtur sot mbledhje të jashtëzakonshme dhe njëzëri ka vendosur ta mobilizojë anëtarësinë dhe simpatizantët e AAK-së, si dhe qytetarët për një protestë vendimtare kundër Kryeministrit dhe Qeverisë.

Lajme
“Organi më i lartë i kësaj Partie, ka vlerësuar se marrëveshjet politike të nënshkruara nga Kryeministri Mustafa, e shndërrojnë Kosovën në shtet jo-funksional, prandaj është e domosdoshme që ato të mos zbatohen”, thuhet në njoftim, raporton lajmi.net.
Në një takim të mbajtur pa prezencën e medias, Këshilli Drejtues i AAK-së, e ka autorizuar Lidershipin e Partisë, që t’i koordinojnë veprimet kundërshtuese edhe me partitë tjera opozitare, me shoqërinë civile, qytetarët dhe të gjithë ata që besojnë se këto marrëveshje janë në kundërshtim me interesat e Kosovës.
Po ashtu në këtë mbledhje, të Këshillit Drejtues të AAK-së, është vendosur që nëse në ndërkohë Kryeministri dhe Qeveria, pezullojnë marrëveshjet, AAK dhe Grupi Parlamentar i saj, t’i rikthehen normalitetit të jetës institucionale. /lajmi.net/