AAK kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme: S’ka buxhet pa Qeveri, s’ka vendimmarrje pa mandat

Sot, gjatë mbledhjes së Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ku morën pjesë edhe kryetarët e degëve, u diskutuan zhvillimet politike në vend dhe përgatitjet për proceset e ardhshme politike, përfshirë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryesia konstatoi se gjendja aktuale politike dhe institucionale është alarmante, pa qeveri legjitime dhe pa funksionim të duhur…

Lajme

13/11/2025 19:07

Sot, gjatë mbledhjes së Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ku morën pjesë edhe kryetarët e degëve, u diskutuan zhvillimet politike në vend dhe përgatitjet për proceset e ardhshme politike, përfshirë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Kryesia konstatoi se gjendja aktuale politike dhe institucionale është alarmante, pa qeveri legjitime dhe pa funksionim të duhur të institucioneve, duke theksuar se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, për të rikthyer legjitimitetin dhe besimin e qytetarëve, transmeton lajmi.net.

Në mbledhje u vlerësua edhe suksesi i Aleancës në zgjedhjet lokale, ku partia fitoi bindshëm në pesë komuna të qeverisura nga kandidatët e saj, duke konfirmuar modelin e qeverisjes së suksesshme dhe besimin e qytetarëve.

Kryesia miratoi kriteret për përpilimin e listës së kandidatëve për deputetë dhe nisjen e përgatitjeve në nivel të degëve për zgjedhjet e ardhshme.

AAK thekson se nuk do të marrë pjesë në proceset që shkelin Kushtetutën dhe kërkon që buxheti i ri të miratohet vetëm pas krijimit të qeverisë së re me mandat të plotë.

Partia deklaron:

  • “Aleanca nuk do të lejojë që Qeveria në detyrë të uzurpojë kompetenca që nuk i takojnë më.”

  • “Ne mbrojmë integritetin institucional dhe rendin kushtetues të Republikës.”

  • “Vendi ka nevojë për një buxhet të qeverisë legjitime, jo të qeverisë në ikje. S’ka buxhet pa Qeveri. S’ka vendimmarrje pa mandat. S’ka demokraci pa respektim të Kushtetutës”./lajmi.net/