AAK-ja nuk ndryshon qëndrim në lidhje me votimin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, por ka dy emra që mund të votohen
Sot mbahet seanca e radhës e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Pas dështimit në dy seanca të miratimit të mandateve të deputetëve të Kosovës, një gjë e tillë u arrit të shtunën ku deputetët e legjislaturës së nëntë arritën të betoheshin. Por përpos kësaj arritje, Kuvendi vazhdon të jetë i pakonstituar. E gjithë kjo pasi…

Lajme
Sot mbahet seanca e radhës e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Pas dështimit në dy seanca të miratimit të mandateve të deputetëve të Kosovës, një gjë e tillë u arrit të shtunën ku deputetët e legjislaturës së nëntë arritën të betoheshin.
Por përpos kësaj arritje, Kuvendi vazhdon të jetë i pakonstituar. E gjithë kjo pasi Lëvizja Vetëvendosje si parti e parë fituese hodhi në votim dy herë radhazi emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare dhe e njëjta u votua veç nga 57 deputetë.
Haxhiun nuk e votoi as LDK, as PDK e AAK dhe emri i saj u abstenua nga Nisma Socialdemokrate.
Kësisoj emri i Albulena Haxhiut si propozim nga ana e LVV u votua nga 57 deputetë “për”, që ishin vota të pamjaftueshme që ajo të merrte këtë pozitë.
“Bllokada” që ka nisur të krijuar në Kuvend- duket se do e zgjasë edhe më tepër mundësinë e formimit të institucioneve të vendit.
Në lidhje me seancën e sotme dhe atë se a do të marrin pjesë apo jo, lajmi.net ka kontaktuar me deputeten e AAK-së, Time Kadriaj.
Kadrijaj tha për se partia e saj do të veprojë sërish njësoj në Kuvendin e Kosovës, teksa shtoi se mund të përkrahin propozime tjera të LVV si Saranda Bogujevci apo Shqipe Selimi.
“Nuk do ta votojmë Albulena Haxhiun. Të shohim për emra të tjerë, ndoshta Sarandën po, Shqipe Selimin po. Do të shohim se cilët do të jenë emrat dhe do të konsultohemi me grupin. Me sa kemi dëgjuar, Albulena Haxhiu ka thënë se përsëri emri i saj do të jetë propozim për kryeparlamentare”, tha Time Kadrijaj.
Kujtojmë se aleatët e Kosovës, Britania e Madhe dhe Gjermania u kanë bërë thirrje partive politike për bashkëpunim për të formuar institucionet e vendit sa më parë.
Partitë opozitare deklarojnë se Albin Kurti nuk i ka numrat për formimin e Qeverisë duke mbajtur formimin e institucioneve ‘peng’ me pozitën e kryeparlamentarit.
Në rast se nuk arrihet që të votohet kryeparlamentari, Kosova mund të shkojë në një “ngërç” institucional, teksa zgjedhjet e reja nuk janë larg diskursit politik të liderëve të subjekteve politike./Lajmi.net/