AAK ende të pavendosur nëse do të marrin pjesë në seancën e nesërme për buxhetin
Kuvendi i Kosovës ka thirrur dy seanca për ditën e nesërme. Njëra nga seancat do të mbahet nga ora 11:00 ku do të jetë në rend dite formimi i komisioneve parlamentare, shqyrtimi i projektligjit për buxhetin dhe disa pika të tjera të rendit të ditës, ndërsa në seancën tjetër nga ora 14:00, pika e vetme…
Lajme
Kuvendi i Kosovës ka thirrur dy seanca për ditën e nesërme.
Njëra nga seancat do të mbahet nga ora 11:00 ku do të jetë në rend dite formimi i komisioneve parlamentare, shqyrtimi i projektligjit për buxhetin dhe disa pika të tjera të rendit të ditës, ndërsa në seancën tjetër nga ora 14:00, pika e vetme e rendit të ditës është formimi i Qeverisë së Kosovës.
Në seancën e orës 11:00 ende nuk dihet nëse do të marrin pjesë deputetët e AAK-së.
“Ende nuk e kemi diskutuar”, ka thënë deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj për lajmi.net.
Se nuk do të marrin pjesë, e kanë konfirmuar edhe nga LDK. Ata përmes një komunikate për media, kanë thënë se refuzojnë mënyrën e papërgjegjshme me të cilën sipas tyre VV po tenton të përdorë institucionet e Kosovës si instrument të lojërave të tyre politike.
“Prej tetë muajsh, vendi mbahet në pasiguri politike nga të njëjtët që sot paraqesin si urgjencë atë që vetë e kanë zvarritur. E njëjta logjikë u pa edhe me zvarritjen 15 ditore të mandatarit pa numra, një proces i humbur që nga fillimi dhe i përdorur vetëm për propagandë. Po të kishin vullnet për krijimin e shumicës parlamentare, konsultimet do të ishin bërë me kohë dhe me të gjitha partitë. Qëllimi nuk ka qenë shumica, por materiali elektoral, mbajtja peng e vendit dhe prodhimi i skenave të radhës”, thuhet në atë komunikatë.
LDK ka thënë se agjenda e seancës së orës 11:00 përfshin marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore që kërkojnë proces serioz e konsultim.
“LDK do të marrë pjesë vetëm në seancën e orës 14:00, sapo të pranojmë ftesën dhe rendin e ditës për çështjen e mandatarit, në përputhje me bindjet, vlerat dhe besimin e votuesve tanë. LDK mbetet e përkushtuar ndaj rendit, ligjshmërisë dhe stabilitetit të Republikës. Nuk bëhemi pjesë e skenarëve populistë dhe të krizave të fabrikuara për interesa zgjedhore”, thuhet në komunikatë.
Nga PDK dhe Nisma ende nuk janë prononcuar nëse do të marrin pjesë në këtë seancë.
Këto janë pikat e rendit të ditës së seancës së orës 11:00:
1. Formimi i komisioneve parlamentare,
2. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-002 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje,
3. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e parë për „Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër“, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Grupit të Bankës Botërore),
4. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit
Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si Huadhënës, dhe Republikës së Kosovës si Huamarrës, dhe Bankës Qendrore të Kosovës si Agjent i Huamarrësit,
5. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-005 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas“-Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës Për Forcimin E Sistemit Të Shëndetësisë,
6. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-006 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) për Projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”,
7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 09/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026,
8. Miratimi i buxhetit për komunat: Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok,
9. Çështja e financimit të RTK-së. /Lajmi.net/