A u sulmua vërtetë faqja e Kryeministrit, apo ishte tentim-fshehje e një skandali?

Kryeministri Isa Mustafa ka mbyllur përkohësisht faqen e tij në Facebook, me pretendimin se ajo i është sulmuar dhe keqpërdorur, duke postuar komente që nuk përkojnë me qëndrimin e tij.

Lajme

20/10/2015 15:45

Kjo kishte ndodhur vetëm pak kohë pasi në Facebook-un e kryeministrit ishte hedhur një koment i rëndë ndaj liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili akuzohej për krime të luftës, të kryera në rajonin e Dukagjinit. Gjegjësisht për disa vrasje në liqenin e Radoniqit, akuzë me të cilën Haradinaj ishte përballur edhe në Gjykatën e Hagës.

Dhe kjo akuzë kishte ardhur nga kryeministri i vendit, vetëm pak kohë pasi Haradinaj kishte bërë një kërcënim publik ndaj Mustafës, duke thënë se nëse arrestohen deputetët që kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvend, atëherë populli do ta arrestojë Kryeministrin.

Kjo ‘betejë’ me akuza dhe kundërakuza, u ndërpre shpejtë. Pasi Kryeministri largoi postimin nga Facebook-u, duke pretenduar se nuk ishte i tij.

“Sot gjatë gjithë ditës është sulmuar faqja e kryeministrit Isa Mustafa edhe nga hackerë edhe nga llogari të falsifikuara”, kishte deklaruar atë ditë shefi i Kabinetit të Kryeministrit, Sokol Havolli.

“Pak më parë është dashur ta fshijë një postim në llogarin time në Facebook, të postuar pa kontrollin tim”, kishte shkruar Kryeministri atë ditë, pasi i kishte fshirë dy postime, në të cilat ishin hedhur akuza të rënda ndaj liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Kabineti i Kryeministrit atë ditë kishte thënë se atij i “është thyer passwordi”.

Por, në të vërtetë, si mund të “thyhet passwordi” i një faqe në Facebook?

Faqet në Facebook menaxhohen nga një profil i caktuar dhe jo drejtpërdrejt, andaj thyerja e passwordit të faqes është një term që nuk mund të përdoret, apo nuk qëndron.

“Unë mendoj se problemi më shumë është tek fakti që personat të cilët janë të punësuar për të mirëmbajtur marrëdhëniet me publikun kanë mundur të jenë të rrezikuar apo më lehtë të ju thyhet fjalëkalimi”, deklaroi për lajmi.net Valon Badivuku, ekspert i rrjeteve sociale.

“Sido që të jetë, një faqe e verifikuar në Facebook, siç është ajo e kryeministrit, nuk mund të menaxhohet nga dikush tjetër, aq më pak kur e dimë se nëse do kryeministri, vetëm me letërnjoftimin e tij faqen mund ta kthejë në menaxhim”, shtoi ai.

“Përndryshe, ekziston edhe një mundësi, me verifikim 2-hapësh (një lloj tokeni), i cili i mban të sigurta edhe llogaritë që kanë ndikim shumë të madh”, theksoi Badivuku.

Pra, për ta marrë në kontroll një faqe në Facebook, duhet së pari të sulmohet profili që e menaxhon faqen.

E, ta sulmosh dhe ta marrësh në kontroll një profil në Facebook është shumë e vështirë.

Aq më tepër, kur profili i kryeministrit është i fshehur, pra kryeministri nuk e ka menaxhuar faqen me një profil personal, për të cilin janë të informuar shumë persona.

Kjo gjë që e bënë edhe më të vështirë mundësinë që të sulmohet apo merret në kontroll nga dikush tjetër profili.

Megjithatë, edhe nëse në një formë arrihet që të kontrollohet ky profil, është 100% e sigurt se kryeministri do të kishte pranuar një email nga Facebook (sepse është procedurë e zakonshme e praktikuar gjithmonë nga ky rrjet social) që do ta lajmëronte për një ndryshim të fjalëkalimit, gjë që do të i jepte atij hapësirë që ta rikthejë llogarinë.

Po e zëmë se për këtë masë kryeministri nuk ka qenë i informuar. Nëse faqja e tij do të ishte sulmuar dhe do të bëheshin postimet pa vullnetin e tij, si do të ishte e mundur që ai pastaj të bënte postime ku kërkonte falje sepse ato janë bërë pa kontrollin e tij?

Apo, si do të kishte hapësirë që ai ta deaktivizonte llogarinë, kur në fakt nuk e ka në kontroll, ashtu siç supozonte ai dhe kabineti i tij?

Nuk përfundon me kaq.

Një faqe në Facebook nuk mund “të sulmohet gjatë gjithë ditës”, ashtu siç ka deklaruar shefi i Kabinetit të Kryeministrit.

Webfaqet mund të sulmohen gjatë ditës dhe të mos jenë funksionale, por e njëjta nuk mund të ndodhë me një faqe në Facebook.

Edhe nëse kryeministri ka një ekip aq të aftë profesionistësh që kanë mundur ta vërejnë në ndonjë mënyrë se faqja në Facebook po sulmohej, do të ishin në gjendje që ta parandalonin një gjë të tillë.

Por, kjo nuk ka ndodhur, sepse “sulmi i vazhdueshëm” në Facebook është i pamundur.

Lajmi.net ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës në lidhje me rastin, për të marrë më shumë informata se çfarë po ndodh apo se si ka qenë natyra e sulmit të llogarisë, por nuk ka pasur përgjigje konkrete.

“Policia e Kosovës, çdo rast të raportuar e trajton duke u bazuar në ligjet e aplikueshme dhe sipas procedurave të parapara ligjore”, deklaroi për lajmi.net Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Nga e gjithë kjo, del pak i besueshëm pretendimi i kryeministrit Mustafa, se postimet e fundit nuk janë bërë nga ai apo njerëzit përgjegjës për faqen e tij në Facebook.

Kjo më shumë duket një tendencë e Kryeministrit që t’i ikë përgjegjësisë pas lëshimit të një akuze të rëndë – atë për krime lufte ndaj një ish komandanti të UÇK-së, e ngritur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime të Luftës – akuza të mohuara vazhdimisht nga politika dhe shoqëria kosovare. /lajmi.net