A publikohet gjatë kësaj jave aktgjykimi i plotë për konstituimin e Kuvendit dhe cilat do të jenë procedurat?- Flasin nga Kushtetuesja
Më 8 gusht Gjykata Kushtetuese njoftoi për aktgjykimin e marrë në lidhje me bllokadën e krijuar nga mos-konstituimi i Kuvendit të Kosovës, or që publikimi i plotë i vendimit në Gazetën Zyrtare nuk është bërë ende, gjë që po vonon edhe thirrjen e seancës së radhës për konstituim. Se a do të publikohet këtë javë…

Lajme
Më 8 gusht Gjykata Kushtetuese njoftoi për aktgjykimin e marrë në lidhje me bllokadën e krijuar nga mos-konstituimi i Kuvendit të Kosovës, or që publikimi i plotë i vendimit në Gazetën Zyrtare nuk është bërë ende, gjë që po vonon edhe thirrjen e seancës së radhës për konstituim.
Se a do të publikohet këtë javë ky vendim, apo në javët në vazhdim ende nuk dihet – por nga Gjykata Kushtetuese në një përgjigje për lajmi.net, ka thënë se vendimi i plotë për çështjen e konstituimit të Kuvendit do të publikohet në faqen zyrtare pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore dhe administrative.
“Aktgjykimi i Gjykatës në rastin KO193/25 dhe KO196/25 do të publikohet pasi që të përfundojnë të gjitha procedurat e parashikuara me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe me Rregulloren e punës së Gjykatës përkitazi me publikimin e vendimeve. Pas finalizimit të tekstit, aktgjykimi do t’u dërgohet të gjitha palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe i njëjti do të dërgohet për publikim edhe në Gazetën Zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
Pra në këtë situatë është e pamundur që seanca konstituive të mbahet, deri sa Kushtetuesja të publikojë aktgjykimin e plotë.
Por çka thuhet në udhëzimin e Kushtetueses të shpallur më 8 gusht?
Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar përsëri deputetët e Kuvendit të Kosovës ta konstituojnë përbërjen e re parlamentare – e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit – por këtë herë me udhëzime më të qarta.
Ata urdhërohen ta konstituojnë Kuvendin brenda një afati 30-ditor dhe ta zgjedhin kryeparlamentarin përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.
Gjykata ka konstatuar që deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.
Po ashtu thuhet që kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”, thuhet në vendim.
Por, kur mund të thirret seanca konstituive?
Nuk dihet saktësisht. Mund të jetë gjatë kësaj jave, apo më së largu javën e ardhshme, varësisht se kur publikohet aktgjykimi i plotë nga Kushtetuesja.
Seanca konstituive nuk mund të mbahet derisa Kushtetuesja ta publikojë aktgjykimin e plotë.
Çfarë pritet nga aktgjykimi i plotë?
Aktgjykimi i plotë i Kushtetueses, përveç se hap rrugën për mbajtjen e seancës konstituive në ditën pasuese, pritet të sqarojë më shumë gjëra.
Ajo ka mundësi t’i përgjigjet edhe një kërkese tashmë të tërhequr të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar më herët nga gjykata përmes një aktgjykimi.
Në aktgjykimin e saj të mëparshëm, të cilin deputetët e shpërfillën, Kushtetuesja nuk kishte treguar pasojat juridike të një shpërfilljeje të tillë. Kushtetuesja mund të tregojë tani se cilat do të jenë pasojat, nëse deputetët e shpërfillin sërish urdhrin 30-ditor për bërjen e Kuvendit të ri.
Ndërkaq e gjithë kjo krizë disamujore vjen si pasojë e mungesës së një marrëveshje politike mes partive parlamentare, pasi asnjëra parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme. /Lajmi.net/