A po zbehet sovraniteti në veri? – Lista Serbe fitoi 9 nga 10 komunat me shumicë serbe pa balotazh

Dje, në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe ato me shumicë serbe janë mbajtur zgjedhjet lokale. Gjatë 12 orëve, qytetarët e Kosovës kanë pasur mundësi të votojnë kandidatin e tyre të preferuar për kryetar si dhe atë për Kuvend Komunal. Të njëjtin proces e kanë kryer edhe qytetarët serb të komunave me shumicë serbe…

Lajme

13/10/2025 13:30

Dje, në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe ato me shumicë serbe janë mbajtur zgjedhjet lokale. Gjatë 12 orëve, qytetarët e Kosovës kanë pasur mundësi të votojnë kandidatin e tyre të preferuar për kryetar si dhe atë për Kuvend Komunal.

Të njëjtin proces e kanë kryer edhe qytetarët serb të komunave me shumicë serbe në Kosovë, përfshirë ato në veri dhe komunat e tjera.

Ndonëse pothuajse në secilën komunë me shumicë serbe kishte kandidat edhe shqiptarë, asnjërën prej tyre nuk e fituan ata.

Nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe, i ka fituar Lista Serbe pa balotazh me përqindje shumë të lartë të të votave. Vetëm në Komunën e Kllokotit do të ketë balotazh mes dy kandidatëve serb.

Kandidati i Listës Serbe për kryetar të Leposaviqit, Zoran Todiç ka fituar këtë garë me 70,35% të votave, apo 2 mijë e 384 vota.

Todiç ka lënë pas vetës Vladimir Radosavljeviç me 11,45%, Vesna Pantoviç me 6,76%, Ivan Vuçkoviç me 6,11%, Nenad Radosavljeviç me 2,63% si dhe të gjashtin me radhë, Shaqir Hetemin e PDK-së me vetëm 1,71% të votave apo 58 sosh.

Sikurse në Leposaviq, edhe në Novobërdë ka fituar kandidati i Listës Serbe, Sasa Miloseviç me 62,3% të votave apo 3 mijë e 569 sosh. Ai ka lënë pas vetes Bajrush Ymerin e LDK-së me 21,84$, Abdyl Gashin e VV-së me 9,9%, Ajet Avdilin e AAK-së me 3,58% dhe Selatin Nuhiun e PDK-së me 2,39%.

E njëjta ka ndodhur edhe në Komunën e Shtërpcës, ku ka fituar pa balotazh kandidati i Listës Serbe, Ivica Tanasijeviç me 59,44%. Ai ka lënë pas Garip Sahitin e PDK-së me 9,58%, Stefan Stamenkoviç nga Pravda i Jednakost me 8,68%, Valmir Ahmetin e LDK-së me 8,67%, Slabadan Nikolceviç me 8,25% dhe Shpejtim Arifin e VV-së me 5,37%.

Lista Serbe ka fituar edhe në Zubin Potok, me kandidatin Milos Peroviç i cili ka mbledhur 70,99%. Pas tij është Milija Bisevaç nga Srpski Narodni Pokret me 6,99%, Vedat Mehmeti i VV-së me 5,66%, Izmir Zeqiri i PDK-së me 4,69%, Stefan Vuloviç nga Kosovski Savez me 4,47% dhe Gordana Mihajloviç me 3,14 %.

Lista Serbe ka triumfuar edhe në Zveçan, me kandidatin Dragisa Miloviç që ka marrë 86,66% të votave. Kandidati i dytë në këtë Komunë ka dal Zoran Obrenoviç me 8,47% të votave, Fetah Peci i VV-së me 2,09%, Ilir Peci i PDK-së me 1,85% dhe Sladjana Pantoviç nga Ujedinjenje me 0,94%.

Pa balotazh, Lista Serbe e mori edhe Komunën e Graçanicës, pavarësisht që të gjitha partitë shqiptare kandiduan me një kandidat të përbashkët, Leutrim Ajetin nga Aleanca Shqiptare.

Novak Ziviç nga Lista Serbe ka fituar 62,54%, Leutrim Ajeti nga Aleanca Shqiptare me 23,15%, Igor Rasiç nga Za Slobodu Pravdu i Opstanak me 12,9%, Goran Marinkoviç nga Kosovski Savez me 1,41%.

Në katër vitet e ardhshme, edhe Ranilluga do të udhëhiqet nga kandidati i Listës Serbe, Tanja Antiç i cili ka fituar me 71,05%. Kandidati i dytë në bazë të rezultatit në këto zgjedhje është Ivan Petroviç nga Srpski Narodni Pokret me 14,08%, pastaj Igor Mitiç nga Za Slobodu Pravdu i Opstanak më 12,71% dhe Bojan Arsiç nga Kosovski Savez me 2,16%.

Edhe Parteshi u fitua bindshëm nga kandidati i Listës Serbe, Dragan Petkoviç i cili mori 89,88% të votave ndërsa i dyti doli Sladjan Mladenoviç me 10,12%.

Milan Radojeviç do të jetë kryetari i Mitrovicës së Veriut në katër vitet e ardhshme, pasi i fitoi zgjedhjet me 60,25% të votave. Pas tij është Marko Jaksiç nga Gradanska inicijativa Sever za svve me 12,28%, Erden Atiç me 10,8% të vota, Aleksandar Arsenijoviç nga Srpska Demokratija me 7,29%, Flutura Hamza Azemi nga PDK mos 4,09% dhe Nenad Vukmoriviç nga Za Slobodu Pravdu i Opstanak me 1,65%.

Komuna e vetme në të cilën Lista Serbe ka shkuar në balotazh, është ajo e Kllokotit.

Bozidar Dejanoviç ka mbledhur 41,62% të votave duke dal i pari për të shkuar në balotazh me Srecko Spasiç nga Srpska Narodna Sloga i cili ka mbledhur 31,43% të votave. Arbër Emini ka mbledhur 23,50 të votave ndërsa Goran Marinkoviç nga Kosovski Savez ka marrë 3,45%.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, dje ka deklaruar në Mitrovicën e Veriut se Lista Serbe ka shënuar “fitore bindëse”.

“Kjo nuk është vetëm fitorja e Listës Serbe, kjo është fitorja e popullit serb, e unitetit dhe e bashkimit serb dhe e gjithçkaje që është serbe në Kosovë”, tha Ellek.

Ai falënderoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Qeverinë e Serbisë për mbështetjen.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka uruar dje “për fitoren” Listën Serbe.

“Edhe një fitore tjetër… Urime Listës Serbe dhe njerëzve tanë të palodhur në Zyrën për Kosovën”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Në 2 vitet e fundit, katër komunat veriore janë udhëhequr nga kryetarë shqiptarë. /Lajmi.net/