A po synohet të bllokohet shteti për një nënkryetar të Kuvendit të Kosovës?
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po kritikohet se është në linjë me Lëvizjen Vetëvendosje në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Pas dorëzimit të komenteve të saj në Gjykatën Kushtetuese pas ankesës së Listës Serbe për moszgjedhjen e një nënkryetari të komunitetit serb, njohësit politikë thonë se aludimet e të parës së vendit se…

Lajme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po kritikohet se është në linjë me Lëvizjen Vetëvendosje në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Pas dorëzimit të komenteve të saj në Gjykatën Kushtetuese pas ankesës së Listës Serbe për moszgjedhjen e një nënkryetari të komunitetit serb, njohësit politikë thonë se aludimet e të parës së vendit se po synohet bllokimi i shtetit për një nënkryetar të Kuvendit janë të paqëndrueshme dhe “ngjasojnë më shumë si një pamflet politik.
Presidentja Vjosa Osmani më 9 shtator dërgoi komentet e saj në Kushtetuese, ku, mes tjerash, nënvizoi se Kuvendi është funksional, ka zgjedhur kryetarin dhe katër nënkryetarët dhe se nuk duhet t’i lejohet veto Listës Serbe që të bllokojë formimin e institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Gjykata Kushtetuese më 5 shtator ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime ose të procedojnë për formimin e qeverisë së re.
Deputetët e Listës Serbe më 30 gusht i janë drejtuar Kushtetueses, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.
Ankesa e tyre erdhi pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.
Përfaqësuesja nga komunitetet joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit, ndërkaq dhjetë deputetët e komunitetit serb nuk arritën të sigurojnë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post, përfshirë edhe deputetin Nenad Rashiq.
Kuvendi më 26 gusht zgjodhi Dimal Bashën për kryeparlamentar si dhe tre nënkryetarët nga komuniteti shqiptar si dhe Rexhepin nga komuniteti jo serb.
Qëndrimi i presidentes Osmani për konstituimin e Kuvendit, sipas ish-diplomatit Blerim Canaj, nuk ishte aspak unifikues, mirëpo shpërfaqje e linjëzimit të sërishëm të saj me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Guxo.
Sipas tij, presidentja përmes qëndrimeve të shprehura në konferencë për media të martën ndërhyri dhe tentoi të influencojë në vendimmarrjen e mundshme të Kushtetueses.
“Ajo çka i kishte dërguar presidentja më është dukur më shumë si një pamflet politik. E dyta që vërehej aty është se presidentja është plotësisht në linjë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe e treta ishte një ndërhyrje në vendimin eventual të Gjykatës Kushtetuese. Madje ajo në fund u mundua ta arsyetojë atë duke përmendur faktin se kemi të drejtë të komentojmë vendimet e Kushtetueses. Ajo nuk ishte unifikuese aty. Unifikuese ishte vetëm nëse kemi parasysh Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën Guxo, pasi nuk pashë diçka tjetër. Këtë po e them pasi nuk është mirë që presidentja të tentojë të influencojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi, tek e fundit, ajo duhet të sjellë një vendim që është konform Kushtetutës së Kosovës. Presidentja është mbrojtësja e Kushtetutës, andaj nuk është mirë që ajo të japë mendime influencuese te Kushtetuesja. Nuk është diçka që më pëlqeu shumë, por më shumë u pa si një tendencë e saj të dalë në një skenë me diçka”, thotë ai.
Në anën tjetër, hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku, thotë për KosovaPress se argumentet juridike të presidentes Vjosa Osmani, të paraqitura në Gjykatën Kushtetuese, janë të paqëndrueshme, pasi deri tani në seancat e mbajtura nuk ka pasur ndonjë tendencë të ndonjë subjekti politik që të bllokojë funksionimin e institucioneve.
Përkundrazi, sipas tij, nuk janë votuar në pako kandidatët e paraqitur nga komunitetet jo shumicë për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.
“Kjo është një çështje procedurale në të cilën Gjykata Kushtetuese e përdor si një lloj standardi të mbledhjes së dokumentacionit, të provave dhe vlerësimit të akterëve institucionalë mbi zgjidhjen e një çështjeje që është para saj. Në këtë rast kemi kërkesën e parashtruar nga Lista Serbe. Presidentja ka të drejtë të japë vlerësimin e saj dhe ajo po vlerëson se Kuvendi duhet të vazhdojë funksionin e tij normal. Sipas argumenteve që ka përdorur presidentja, ajo po vlerëson që në këtë rast Kushtetuta nuk i jep hapësirë dhe mundësi asnjë subjekti politik që të bllokojë funksionimin e institucioneve. Megjithatë, unë vlerësoj se nuk ka tendencë të ndonjë subjekti politik për të bllokuar funksionimin e Kuvendit. Madje, përkundrazi, në seancat që janë mbajtur kemi parë që ka pasur tendencë që të mos votohen në pako kandidaturat e propozuara nga komunitetet jo shumicë. I takon Gjykatës Kushtetuese që t’i vlerësojë dhe t’i marrë për bazë nëse janë apo jo të qëndrueshme çfarëdo argumenti ose komente juridike që japin palët”, deklaron Bugaqku.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u mbyll më 30 gusht nga kryeparlamentari Dimal Basha, ani pse deputetët nuk arritën të zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb krahas zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve të tjerë të legjislativit.
Basha, në arsyetimin e tij, ka thënë se ka ndërmarrë këtë veprim për të mos u bllokuar shteti dhe për të vijuar punën Kuvendi, rrjedhimisht edhe për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve parlamentare.
Mirëpo kjo procedurë nuk nisi, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme deri më 30 shtator, ku ua ndaloi deputetëve të ndërmarrin çfarëdo veprimi në lidhje me Kuvendin si dhe procedurat tutje për formim të qeverisë.