A po shndërrohet Presidenca e Kosovës në “strofull” të militantëve të VV-së? Aktivistët e partisë së Kurtit në kabinetin e Shiroka-Pulës
Berita Abazi, Donika Kavaja, Bekim Kupina dhe Getoar Sylaj pritet të jenë në përbërjen e re të kabinetit presidencial. Disa prej tyre kanë pasur angazhime të mëparshme në institucionet e drejtuara nga Vetëvendosja, ndërsa emërimet e raportuara ende nuk janë konfirmuar të gjitha zyrtarisht nga Presidenca, transmeton lajmi.net. Presidentja e re e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka…
Lajme
Berita Abazi, Donika Kavaja, Bekim Kupina dhe Getoar Sylaj pritet të jenë në përbërjen e re të kabinetit presidencial.
Disa prej tyre kanë pasur angazhime të mëparshme në institucionet e drejtuara nga Vetëvendosja, ndërsa emërimet e raportuara ende nuk janë konfirmuar të gjitha zyrtarisht nga Presidenca, transmeton lajmi.net.
Presidentja e re e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka nisur formimin e ekipit të saj, ndërsa emrat që po qarkullojnë për pozitat në kabinetin presidencial po ngrenë pikëpyetje për përfshirjen e personave me lidhje të mëparshme politike dhe institucionale me Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas raportimeve të mediave, në mesin e emrave që pritet të jenë pjesë e ekipit të ri janë Berita Abazi, Donika Kavaja, Bekim Kupina dhe Getoar Sylaj. Disa prej tyre kanë ushtruar më parë funksione në kabinetet e Albulena Haxhiut dhe Vjosa Osmanit, ndërsa të tjerë njihen për angazhimin e tyre në Vetëvendosje. Shumë prej tyre veçse janë parë edhe dje në aktivitetet e para të presidentes Justina Shiroka-Pula.
Madje Berita Abazi, asambliste e Vetëvendosjes në Prishtinë duket se veçse është vendosur në postin e shefes së kabinetes në Presidencë.

Siç raportohet, Shiroka-Pula e ka emëruar Abazin shefe të stafit dhe e ka autorizuar që të merret edhe me emërimet e tjera në kabinet, përfshirë asistentët dhe nëpunësit e tjerë.
Në pozitën e zëvendësshefes së stafit, sipas të njëjtave raportime, është emëruar Donika Kavaja, e cila ka bashkëpunuar me Shiroka-Pulën në Akademi.
Një tjetër emër që pritet t’i bashkohet ekipit presidencial është Bekim Kupina, i cili, sipas raportimeve, do të rikthehet në pozitën e këshilltarit për media të presidentes. Kupina e ka ushtruar këtë funksion edhe gjatë mandatit të Vjosa Osmanit, ndërsa më herët ka punuar si gazetar dhe redaktor në gazetën “Koha Ditore” dhe portalin “Koha.net”.
Kupina është bashkëshort i Vlora Konushevcit, këshilltares për media të kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu. Kjo e fundit ka qenë në krye të Kuvendit dhe ka ushtruar edhe detyrën e ushtrueses së detyrës së presidentes.


Lajmi.net ka tentuar të kontaktoj me Bekim Kupinën, por ai nuk ka dhënë përgjigje për të konfirmuar se do të jetë zyrtarisht në pozitën e këshilltarit për media.
Në rrethin e personave që po përmenden si pjesë e ekipit të ri është edhe Getoar Sylaj, i cili është parë pranë presidentes Shiroka-Pula gjatë vizitës së saj në Prekaz dhe në takimin me kryeministrin Albin Kurti. Sylaj, sipas raportimeve, ka shërbyer më herët në kabinetin e Albulena Haxhiut dhe ka qenë aktivist i hershëm i Vetëvendosjes.
Lajmi.net ka kontaktuar me Presidencën e Kosovës për të konfirmuar raportimet mbi emërimet mbi stafin e ri të presidentes Shiroka-Pula, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje./Lajmi.net/


