A po kontrollohet tregtia e arit në Kosovë?
Pasiguri gjatë blerjes së arit vazhdon të jetë një çështje brengosëse për qytetarët e Kosovës, pasi cilësia dhe tregtia e tij ka shumë pikëpyetje. Kjo për shkak se shitblerja e këtij materiali të çmuar nuk ka kontroll të duhur nga inspektorati i shtetit.

Lajme
Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë janë mbi 500 dyqane që merren me shitjen e arit dhe argjendit. Nga këto biznese, 200 prej tyre shesin ari, ndërsa mbi 300 tjera janë dyqane argjendi.
Kryeinspektori shtetëror i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Lulzim Syla, tha për KosovaPress se nga janari e deri në muajin nëntor inspektorati ka bërë 97 inspektime në argjendari por nuk ka hasur në ndonjë parregullsi.
Isa Elshani, nga departamenti i metrologjisë në MTI, tha se punimet që nuk kanë vulën e metrologjisë, ai punim nuk garanton që ka cilësi sipas ligjit për metalet e çmuara. Ai tha për KosovaPress se qytetarët nuk kanë njohuri që ka laboratorë që bëjnë matjen e cilësisë së arit që e blejnë.
Ndërsa, zëdhënësi i doganave, Adriatik Stavileci, tha se ka shumë raste të kontrabandës së arit. Sipas tij, kontrabanda e arit është shumë e lehtë.
“Kemi mjaft raste kur kemi kapur sasi të arit. Por duhet të kemi parasysh se ari është produkt shumë i lehtë i kontrabandueshëm pasi sasia e vogël ka vlerë të lartë”, tha Stavileci, përmes përgjigjeve elektronike.
Enver Pakashtica, kryetar i Shoqatës së Argjendarëve, tha për KosovPress se qytetarët kanë mundësi të bëjnë verifikimin në çdo kohë të cilësisë së arit në laboratorët që janë në Kosovë.
Sipas tij, janë mbi 520 dyqane janë që merren me tregtinë e arit dhe argjendit. Sipas Pakashticës, 200 lokale janë që shesin ari ndërsa mbi 300 shesin argjendtë./KP/