A mund të qeveriset me Kosovën?

Është kjo një pyetje brutale, e rëndë, e mundimshme. Për shumëkë është paradoksale. Nuk do të duhej të bëhej fare. Sepse është e kotë. Së paku në shikim të parë. Megjithatë, duhet shtuar këtu që kjo pyetje nuk ka të bëjë me këtë apo atë përbërje të një Qeverie të Kosovës, me këtë apo atë formulë politike të qeverisjes. Ka të bëjë me thelbin e nocionit të qeverisjes, të udhëheqjes me një shtet.

Opinion

25/02/2015 15:01

Kosova si territor është bërë e lirë në vitin 1999 me popullatë të njohur, me përbërje etnike të ditur, me kufijtë e përcaktuar me Kushtetutën e vitit 1974, dhe është bërë shtet në vitin 2008, mbi të gjitha, sepse rrjedha historike dhe politike në Kosovë dhe përreth saj, ka vërtetuar që kosovarët duhet të qeverisin me vetveten, apo që askush tjetër nuk ka të drejtë të qeverisë me ta.

Një qeveri funksionale, zatën, është njëri prej elementeve kyç të një shteti.

Bërja e Kosovës me Qeveri të mirëfilltë, në nivelin qendror, ka nisë më 2001, me dokumentin themelor ligjor, Kornizën Kushtetuese, me zgjedhjet e përgjithshme të po atij viti, ndërsa është rrumbullakuar në vitin 2008, me shpalljen e shtetit të Kosovës, me miratimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me transformimin e Qeverisë së përkohshme të Kosovës, të periudhës së Administrimit ndërkombëtarë, në Qeveri të Republikës së Kosovës. Natyrisht, qeverisja me Kosovën nënkupton edhe segmentin legjislativ (Kuvendin e Kosovës), garantuesin suprem të funksionimit të shtetit (Presidentin) dhe segmentin gjyqësor (drejtësinë). Gjithsesi, qeverisja me Kosovën për shkaqe të njohura për të gjithë, ka edhe atë dimensionin e ndjeshëm të respektimit të të drejtave të komuniteteve pakicë.

Në teori pra, gjithçka është definuar si duhet. Kosova në këtë aspekt, me letra (si thuhet), madje prinë përballë shumicës së shteteve të kësaj ane të Evropës së definiuar si Ballkani Perëndimorë.

Por çfarë na thotë realiteti?

Si mund ta zëmë të shpjegohet fakti i muajve të fundit që dhjetëra mijëra shqiptarë të Kosovës u larguan nga vendi i tyre dhe ia mësynë Perëndimit, ilegalisht?

Janë bërë një mori interpretimesh të kësaj dukurie. Njëra prej tyre, që është dëgjuar goxha shpesh, flet për një zhgënjim të përgjithshëm të qytetarëve me politikën kosovare. Nuk ka si të mos ndërlidhet ky  konstatim me bindjen e shumëkujt prej atyre që shkuan nga Kosova, që ky vend nuk po qeveriset si duhet.

Janë edhe disa elemente të tjera që shfaqen si pyetje, për të cilat përgjigjja është në kërkim e sipër. Ndërsa pa adresimin e tyre, nuk do të mund të hiqet qafe ajo pyetja e rëndë e bërë krejt në fillim.

Ta zëmë, autoritetet qendrore të Kosovës, akoma nuk qeverisin si duhet me një pjesë të territorit të vendit, apo me Veriun. Është thënë shumë herë që, derisa integriteti territorial i Kosovës ka garancitë e duhura ndërkombëtare (por jo edhe ato finalet, të cilat merren me anëtarësimin në OKB, dhe më pas, me hyrjen në Paktin NATO), integrimi i kësaj pjese të Kosovës është temë e papërfunduar. Ndryshe, as që do të kishte nevojë të ketë bisedime në Bruksel.

Pastaj, edhe në segmentin shumë të rëndësishëm të Sundimit të Ligjit, nuk kemi arritë që të bëhemi zot të vetvetes, të qeverisim me vetveten. EULEX është ende këndejpari, ndërsa krijimi i Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar, është një tjetër dëshmi e deficitit të theksuar kosovar në këtë fushë, i cili është krijuar prej nesh dhe prej ndërkombëtarëve.

Gjithashtu, këtu mund të flitet shumë edhe për mungesat e theksuara në ekonominë kosovare, në fushën sociale poashtu, të cilat pastaj shpiejnë në konkludimet thellësisht mëdyshëse sa i përket qeverisjes me vend.

Këtu nuk ka si të mos përmendet edhe dimensioni i një stabiliteti politik, i cili shquhet me një konsensus politik në një shtet për çështjet e interesit kombëtarë/ shtetërorë, dhe me një rivalitet të mirëfilltë në një politikë dhe në një shoqëri demokratike.

Një konsensus i tillë nuk ekziston në Kosovë, për gati asnjërën prej këtyre çështjeve, hiç këtu temën e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Po shihet pra që pyetja e nisjes së këtij shkrimi, paska qëndrueshmërinë e saj.

Sidoqoftë, përkundër të gjithave, Kosova nuk ka fare këtu alternativë. Pra, duhet të mbërrijë, sa më parë që është e mundur, në stadin kur në plotëni do të qeverisë me veten.