A mund të mbyllë KPM-ja emisione televizive?
Një paralajmërim këtë javë i një prej drejtuesve të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) në Kosovë për mbyllje emisionesh televizive nxiti reagime të ashpra dhe ngriti pikëpyetje se a po përpiqet t’i tejkalojë kompetencat e veta ky organ i pavarur për rregullimin dhe menaxhimin e mediave në vend. Nënkryetarja e KPM-së, Drita Morina –…
Lajme
Një paralajmërim këtë javë i një prej drejtuesve të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) në Kosovë për mbyllje emisionesh televizive nxiti reagime të ashpra dhe ngriti pikëpyetje se a po përpiqet t’i tejkalojë kompetencat e veta ky organ i pavarur për rregullimin dhe menaxhimin e mediave në vend.
Nënkryetarja e KPM-së, Drita Morina – e cila u bë anëtare e komisionit vetëm dy muaj më parë – paralajmëroi gjatë një mbledhjeje të komisionit më 10 qershor se në mbledhjen e radhës do të propozonte mbylljen e emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini, nëse “shkeljet përsëriten”, duke iu referuar deklaratave fyese të pjesëmarrësve në debat.
Ekspertët ligjorë vlerësojnë se një hap i tillë shkon përtej kompetencave të KPM-së.
Çka është KPM-ja dhe cilat janë kompetencat e saj?
Sipas ligjit, KPM-ja është organ i pavarur përgjegjës për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Kosovë.
Në bazë të ligjit, KPM-ja licencon transmetuesit publikë e privatë, përcakton dhe zbaton politikën e transmetimit si dhe rregullon të drejtat, detyrimet si dhe përgjegjësitë e personave fizikë dhe juridikë të cilët ofrojnë shërbimet mediale audio dhe audiovizuele.
Misioni i tij, ndër të tjera, është edhe ta mbrojë lirinë e shprehjes dhe shumëllojshmërinë e mendimit.
Juristja e të drejtës së mediave, Flutura Kusari, e cila e vëzhgoi mbledhjen e KPM-së, thotë për REL se KPM-ja mund të konstatojë shkelje të Kodit të Etikës dhe të shqiptojë masa të parapara me ligj, por jo të urdhërojë mbylljen e një emisioni televiziv, si masë të veçantë.
“Roli i KPM-së është të vendosë nëse media ka shkelur etikën dhe këtë mund ta bëjë duke u fokusuar ekskluzivisht në aspekte procedurale”, thekson ajo.
Mbyllja e një emisioni debatues mbi çështje politike dhe aktuale nga KPM-ja bie ndesh me vetë frymën e Kodit të Etikës së komisionit, thotë ish-drejtuesi i KPM-së, Jeton Mehmeti, i cili thekson se në nenin 2 të Kodit garantohet liria e shprehjes.
“Një ndërhyrje e tillë mund të justifikohet vetëm kur një medium, në mënyrë të qëllimshme, transmeton përmbajtje që cenojnë rendin kushtetues, sigurinë publike ose interesat themelore të Republikës së Kosovës”, thotë Mehmeti për REL.
Në të kaluarën, duke u thirrur në cenim të sigurisë kombëtare dhe shkelje të rregullores së saj, KPM-ja kishte urdhëruar largimin e kanaleve sportive të rrjetit televiziv serb, Arena, që transmetoheshin nga disa platforma kabllore.
Çfarë ndodhi në mbledhjen e KPM-së?
Gjatë mbledhjes më 10 qershor, KPM-ja njoftoi se shqyrtoi rastet e iniciuara nga vetë komisioni lidhur me shkeljet e vërejtura gjatë mbikëqyrjes së ofruesve të shërbimeve mediale audiovizuele gjatë heshtjes zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Disa televizione, përfshirë RTV Dukagjini, morën vërejtje me shkrim nga komisioni, pasi kishin publikuar deklarata të politikanëve gjatë heshtjes zgjedhore.
Emisioni “Debat Plus” nuk ishte temë specifike e mbledhjes dhe as nuk u përmend në njoftimin e KPM-së.
Por, Morina e përmendi atë dhe tha se gjatë kohës që ajo është anëtare, “rastet e tilla po përsëriten nga emisioni i njëjtë”, duke shtuar se do të kërkonte “mbylljen e tij deri në ndalimin e emetimit të emisionit të tillë”.
Ajo po iu referohej deklaratave të përdorura gjatë debateve politike në “Debat Plus” nga pjesëmarrësit, dhe u arsyetua me ankesën e bërë nga Artane Rizvanolli, ministrja në detyrë e Ekonomisë.
Rizvanolli e ka akuzuar Uran Ismailin e Partisë Demokratike të Kosovës se ka bërë shpifje dhe fyerje gjatë një edicioni të “Debat Plusit”.
Pasojat nga masat e mundshme
KPM-ja nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it lidhur me paralajmërimin e Morinës dhe nëse një kërkesë të tillë do të shqyrtohej në mbledhjen e radhës dhe mbi çfarë arsyesh.
Kusari thekson për REL se “KPM-ja po i tejkalon kompetencat e veta ligjore duke vendosur se çfarë është shpifje, çfarë është fyerje apo ofendim dhe është duke e luajtur rolin e gjykatës”.
Ajo e kritikon përbërjen e re të KPM-së – e zgjedhur në prill nga Kuvendi i Kosovës – e cila, sipas saj, po bën presion politik në media me qëllim që ato “të mos e kritikojnë Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin [në detyrë, Albin] Kurti apo ministrat e Qeverisë së tij”.
Sipas ish-kreut të KPM-së, Jeton Mehmeti, në raste si ky, çdo pretendim për shkelje të Kodit parashikon një sërë hapash dhe masash paraprake, përpara se të mendohet ndonjë sanksion.
“Pezullimi i një emisioni, pezullimi i të gjithë programit të një televizioni apo revokimi i licencës përbëjnë masat më të rënda që mund të ndërmerren ndaj një transmetuesi. Këto masa kanë pasoja të pakthyeshme financiare e profesionale për mediumin dhe përdoren vetëm në rrethana jashtëzakonisht serioze”, vlerëson Mehmeti.
Ai beson se “nuk ka asnjë rrethanë” që do ta arsyetonte shqyrtimin e mbylljes së emisionit në fjalë nga KPM-ja në mbledhjen e saj të ardhshme.
Kusari, ndërkaq, nënvizon se kompetencë e KPM-së është të shikojë nëse në emisione debatuese respektohet e drejta e përgjigjes, nëse i jepet hapësirë palëve të përfolura, e kështu me radhë.
Gjithashtu, sipas saj, në debatet e transmetuara drejtpërdrejt, KPM-ja duhet t’i zbatojë standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut duke mos mbajtur përgjegjës mediat për fjalët e shprehura nga palët e treta, por vetë folësit./Radio Evropa e Lirë/