A ka pengesa ligjore që të dënuarit e Speciales të transferohen në Kosovë?
Ndonëse në Kushtetutën e Kosovës theksohet se dënimet e shqiptuara nga Dhomat e Specializuara për Kosovën duhet të mbahen jashtë Kosovës, avokatët kosovarë kërkojnë që kjo të ndryshohet. Faktori kryesor sipas tyre është arsyeja humane që ata të kryejnë dënimin në vendin e tyre. Në qendër të paraburgimit ish pjesëtarët e UÇK-së, të akuzuar e…

Lajme
Ndonëse në Kushtetutën e Kosovës theksohet se dënimet e shqiptuara nga Dhomat e Specializuara për Kosovën duhet të mbahen jashtë Kosovës, avokatët kosovarë kërkojnë që kjo të ndryshohet. Faktori kryesor sipas tyre është arsyeja humane që ata të kryejnë dënimin në vendin e tyre.
Në qendër të paraburgimit ish pjesëtarët e UÇK-së, të akuzuar e të dënuar nga Dhomat e Specializuara për Kosovën, po qëndrojnë në Hagë të Holandës.
Por, dënimin e formës së prerë që merr vulat e të gjitha shkallëve të gjykatave do mund të e vuajnë në shtetin e Belgjikës.
Muajin e kaluar Dhomat e Specializuara njoftuan për arritjen e marrëveshjes me këtë shtet për zbatimin e dënimeve.
“Më 12 qershor 2025, Dhomat e Specializuara të Kosovës (“DHSK”) dhe Mbretëria e Belgjikës nënshkruan zyrtarisht Marrëveshjen mbi Zbatimin e Dënimeve. Marrëveshjen e nënshkruan Administratorja e DHSK-së, Dr. Fidelma Donlon, dhe z. Zherar Div, shef i Autoritetit Qendror për Bashkëpunim me Gjykatat Penale Ndërkombëtare, në Ministrinë e Drejtësisë së Belgjikës në Bruksel. Sipas kësaj marrëveshjeje, personat e dënuar nga DHSK-ja mund ta kryejnë dënimin me burgim në Belgjikë, në varësi të kushteve që cakton DHSK-ja dhe miratimit të Belgjikës. Kryetarja Ekaterina Trendafilova nënvizoi se zbatimi i dënimit është thelbësor për një sistem gjithëpërfshirës dhe efektiv të drejtësisë penale ndërkombëtare. Ajo shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës për DHSK-në dhe theksoi: “Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Mbretëria e Belgjikës riafirmon përkushtimin e fuqishëm të saj ndaj drejtësisë penale ndërkombëtare dhe aftësinë e DHSK-së për të kryer mandatin e vet.”
Kryetarja e DHSK-së ftoi gjithashtu edhe shtetet e tjera të ndjekin shembullin e Belgjikës në fuqizimin e kornizës së DHSK-së për zbatimin e dënimeve përmes arritjes së marrëveshjeve të ngjashme. Shefi i Autoritetit Qendror të Belgjikës deklaroi: “Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje dëshirojmë të shprehim mbështetjen e Belgjikës ndaj DHSK-së dhe drejtësisë ndërkombëtare në tërësi. Me këtë marrëveshje, Belgjika tregon angazhimin e vet të palëkundur ndaj funksionimit të plotë të DHSK-së, sipas marrëveshjes midis BE-së dhe Kosovës.” Në pajtim me Shkëmbimin e Letrave të vitit 2014 midis Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë dhe Presidentes së Kosovës, dhe nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës, dënimet e formës së prerë kryhen jashtë Kosovës”.
Në ndryshimet që ishin përfshirë në Kushtetutën e Kosovës, në vitin 2015, shkruhet se personat e dënuar duhet të vuajnë dënimin jashtë territorit të Kosovës.
Me gjithë këtë njohësit e drejtësisë thonë se institucionet e Kosovës, do duhej të kërkonin zyrtarisht që ish pjesëtarët e UÇK-së, të transferohen në Kosovë për vuajtjen e dënimit.
“Ekzekutimi i vendimit me burgim për personat të cilët ndodhën në Dhomat e Specializuara bëhet në një shtet i cili ka shpreh gatishmërinë dhe vullnetin e tij për të pranuar këta persona dhe në fund vendoset nga ana e kryetares së Dhomave të Specializuara në pajtim me dispozitat respektive të ligjit për Dhomat e specializuara. Sa i përket çështjes së Kosovës, në bindjen time një gjë e tillë nuk është e ndaluar pavarësisht faktit se varet nga ana e kryetares së këtyre Dhomave megjithatë publikisht nuk kemi parë ndonjë shkresë zyrtarë për të shprehur gatishmërinë vullnetin nga ana e institucioneve të vendit tonë”, ka theksuar Ardian Bajraktari – avokat për RTV Dukagjini.
Ndërkohë, që edhe shkuarja e familjarëve ne vizitë në shtete të tjera, jashtë Kosovës, do ishte e kushtueshme financiarisht.
“Mendoj se është e udhës e domosdoshme e nevojës për mbi të gjitha edhe ligjore edhe humane që Kosova të ia kërkoi Gjykatës speciale që vujatja e dënimeve personat që dënohen nga ajo Gjykatë të e kryejnë në Republikën e Kosovës, në shërbimet korrektuese tona sepse mbi të gjitha është çështje humane sepse ata janë shtetas të këtij vendi, familjet e tyre jetojnë këtu dhe çasja e tyre për vizita është shumë e lehtë, sesa në vendet e tjera”, ka deklaruar Meshari Selimaj – avokat.
Deri më tash vetëm rasti i Salih Mustafës ka shkuar deri në shkallën e Supremes, e cila ka lënë në fuqi dënimin e ulur në 15 vite, për krime lufte.