A ka bashkëpunuar me Gjykatën Speciale? – Donika Gërvalla përgjigjet!
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, është pyetur në një konferencë për media lidhur me kërkesën e protestuesve e opozitës për dorëheqjen e saj, si dhe deklaratat që e lidhin atë me ‘bashkëpunim me Gjykatën Speciale’. Gërvalla i ka mohuar këto pretendime, duke thënë se nuk ka pasur asnjë lidhje të saj me UNMIK-un, EULEX-in apo…
Lajme
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, është pyetur në një konferencë për media lidhur me kërkesën e protestuesve e opozitës për dorëheqjen e saj, si dhe deklaratat që e lidhin atë me ‘bashkëpunim me Gjykatën Speciale’.
Gërvalla i ka mohuar këto pretendime, duke thënë se nuk ka pasur asnjë lidhje të saj me UNMIK-un, EULEX-in apo Gjykatën Speciale.
“Deklaratat që më lidhin mua në çfarëdo lloj forme me bashkëpunimin tashmë është bërë bajat, sepse i kam shpjeguar disa herë. Nuk ka në asnjë… as me UNMIK-un, as me EULEX-in, as me Gjykatën Speciale, nuk ka asnjë pikë takimi timin, as direkt dhe as indirekt. Mirëpo, edhe pak durim do të kemi sepse aktgjykimi do të vijë shpejt dhe do ta shohim shumë shpejt”, ka thënë ajo.
Ajo ka deklaruar se pret që ata që, sipas saj, e kanë etiketuar dhe akuzuar, t’i shohin faktet pas publikimit të aktgjykimit.
Sa i përket kritikave për heshtjen e saj pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Gërvalla ka thënë se Ministria e Drejtësisë është duke u përgatitur për hapat e ardhshëm.
“Ndërsa sa i përket heshtjes, unë nuk kam mbetur e heshtur. Nga Ministria e Drejtësisë, Kryeministri e ka dhënë një deklaratë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa unë së bashku me ekipin tim që nga dita e parë i jam futur punës me qëllim që të përgatitemi për një batalje, sepse çështja e Gjykatës Speciale është betejë ligjore, nuk është betejë deklaratash në media”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo ka thënë se Qeveria mund të bëjë më shumë në këtë proces dhe se aktualisht janë duke u analizuar rrethanat për hapat e ardhshëm.
“Unë jam e bindur që mund të bëjmë më shumë. Mirëpo, jemi duke i shikuar dhe analizuar të gjitha rrethanat me qëllim që secili në pozicionin e tij, në përgjegjësinë e tij, ta kryejë punën e tij me ndershmëri dhe me azhurnitet”, ka thënë ministrja.
E pyetur drejtpërdrejt nëse ka menduar për dorëheqjen, pas kërkesës së protestuesve, Gërvalla ka thënë se kjo është e drejtë e qytetarëve në një shtet demokratik.
“Është e drejtë e secilit qytetar të Republikës së Kosovës të kërkojë dorëheqjen e secilit ministër. Ajo është, më në fund jetojmë në një shtet demokratik ku është e drejtë e secilit të shprehë mendimin e tij. Prandaj nuk e komentoj unë kërkesën për dorëheqje. Nuk është e imja as t’i imponoj dikujt dorëheqjen, por as t’ia ndaloj fjalën askujt”, ka deklaruar Gërvalla.