“A i besoni ende liderit tuaj?”, “Kujt i besoni, VV-së apo PDK-së?” Përplasen përmes statuseve në Facebook Kërçeli dhe Ymeri
Zhvillimet e fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pas nismës për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku dhe pezullimit të bisedimeve për formimin e institucioneve, kanë nxitur edhe përplasje publike në rrjetet sociale. Një debat verbal ka shpërthyer në Facebook mes deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, dhe deputetes së LDK-së, Janina Ymeri. Kërçeli e…
Lajme
Zhvillimet e fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pas nismës për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku dhe pezullimit të bisedimeve për formimin e institucioneve, kanë nxitur edhe përplasje publike në rrjetet sociale.
Një debat verbal ka shpërthyer në Facebook mes deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, dhe deputetes së LDK-së, Janina Ymeri.
Kërçeli e nisi me një postim ironizues për Ymerin dhe besimin ndaj kryetarit të partisë.
“Nuk e di a ka ardhur momenti që Janina Ymeri t’i shtrohet pyetja: A i besoni ende liderit tuaj?”, shkroi ai.
Nuk vonoi shumë dhe Ymeri iu përgjigj publikisht, duke thënë se vazhdon t’u besojë organeve të LDK-së dhe kryetarit të saj.
“Momenti për besim ndaj organeve të partisë, përfshirë kryetarin, do ta ketë përgjigjen e njëjtë. I besoj përderisa jam anëtare e sidomos deputete e LDK-së, e të lartëshënuarit janë ende në pozitë me votë demokratike”, shkroi Ymeri.
Në reagimin e saj, deputetja e LDK-së e pyeti Kërçelin se kujt i beson politikisht.
“Po ju kujt i besoni, Vetëvendosjes sot, apo Partisë Demokratike të Kosovës?”, shkroi ajo.
Ymeri e akuzoi më tej Kërçelin për ndryshim të qëndrimeve politike dhe partive, duke pretenduar se ai më parë kishte qenë mbështetës i PDK-së.
“Me këto ndërrime partish që ke bërë, shefash e qëndrimesh, e di që nuk din as për politikë as për ideologji po mua e LDK-në kot e ke që na përfshin”, thuhet në reagimin e saj.
Ajo e përmbylli postimin duke deklaruar se “Lidhja Demokratike e Kosovës për tipat si ti është fushë e paarritur”, duke i kërkuar Kërçelit të merret me çështje të tjera.
Përplasja vjen në një kohë tensionesh brenda LDK-së, pasi kryetari Lumir Abdixhiku njoftoi se po pezullon angazhimet për formimin e institucioneve, pas nismës për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të partisë.
Pas kësaj Kërceli reagoi sërish, duke e pyetur Janina Ymerin nëse i beson liderit të saj të LDK-së.
Madje ai tha se Ymeri gënjeu në lidhje me partitë që Kërçeli kishte qenë në bashkëpunim vite më parë, ku ky i fundit publikoi edhe një postim të vitit 2010 për Vetëvendosjen.
Tutje ai e porositi Ymerin që mos t’i bllokojë komentet, por le të shkojë në debat bashkë me Hykmete Bajramin kudo që e zgjedhin ato.