A është tradhti t’i bësh gol Kombëtares?

Të luajnë kundër Shqipërisë do quhen tradhtarë nga shqiptarët, të mos luajnë apo edhe të luajnë e të mos japin maksimumin për të shënuar gol, do të cilësohen tradhtarë nga zviceranët!

Opinion

10/10/2013 10:26

Një debat mbi një ndeshje futbolli, në dukje i cekët si përgjithësisht çdo gjë sportive, mund të shoshitet si duhet vetëm duke vënë në punë konceptet më të thelluara mbi kombin, shtetin dhe dallimet mes tyre. Debatin në fjalë e ka hapur grupimi i Tifozëve shqiptarë Kuqezi që i është drejtuar 6 futbollistëve (Shaqirit, Xhakës, Berhamit, Xhemajlit, Mehmedit dhe Kasamit), që të bojkotojnë takimin Shqipëri – Zvicër për të respektuar vendin e origjinës dhe për t’i shpëtuar etiketimit “tradhtar”. A kanë të drejtë Tifozët Kuqezi? Në fakt në mbështetje të këtij pozicionimi ka ardhur, indirekt, edhe talenti i Arsenalit dhe kombëtares angleze, Xhek Uillshajer. I përfshirë në debatin nëse një tjetër futbollist shqiptar, Adnan Januzaj, që luan në Angli me Mançester Junajtid, duhet të përfshihet në përfaqësuesen angleze, Uillshajer u deklarua prerë: Jo! Sepse, sipas tij, nëse je anglez je anglez, njerëzit e vetëm që mund të luajnë për Anglinë janë anglezët prandaj nuk sheh vend për Januzajn në kombëtaren angleze. Po sipas Uillshajer, nëse jeton 5 vjet në Angli kjo nuk të bën anglez. Edhe për Uillshajer, si për Tifozët Kuqezi, shtrohet pyetja: a ka të drejtë?

***

Në pikëpamjen tonë, jo! Gjithsesi, është një pozicion që gjen mbrojtje në faktin e përkufizimit dyjar që ekziston, në ligjërimin dhe literaturën politike, lidhur me kombin dhe shtetin. Përmbledhtazi, nga njëra anë kemi mënyrën gjermane të konceptimit të “kombit etnik, i kuptuar si bashkësi njerëzish të një gjaku dhe gjuhe dhe në anën tjetër, kemi konceptimin francezo-amerikan të “kombit qytetar”, si bashkësi njerëzish që jetojnë në një shtet pavarësisht prejardhjes së tyre. Po të mbështetesh në përkufizimin gjerman të kombit, atëherë kanë të drejtë Tifozët Kuqezi dhe Uillshajer. Sipas këtij përkufizimi, Jonuzaj nuk është anglez, por shqiptar dhe si i tillë, duhet të luajë vetëm me kombëtaren e Shqipërisë. Edhe 6 futbollistët që luajnë në klube zvicerane, sipas këtij koncepti, nuk janë zviceranë, por shqiptarë dhe kur bëhet fjalë për ndeshje mes kombëtaresh, duhet të luajnë me Shqipërinë. Por nëse vendos në themel të analizës konceptin e “kombit qytetar” Jonuzaj fiton të drejtën të luajë me Anglinë me t’u bërë shtetas i saj. Po kështu edhe shqiptarët që luajnë në Zvicër kanë të drejtë të luajnë me Zvicrën për sa kohë që janë shtetas të këtij shteti. Na duket se ky konceptim i dytë i çështjes, është më pranë zhvillimeve të sotme, më në harmoni me shoqëritë e hapura, me globalizimin, integrimet dhe mbi të gjitha, me faktin që po jetojmë në një fazë ku shtetet kombe janë gjithnjë e më pak të tilla dhe gjithnjë e më shumë të pluralizuar prej prurjesh migratore nga të katër anët e botës. Në mileniumin e ri, kur bëhet fjalë për shtetin, është e vështirë ta unifikosh atë me kombin e kuptuar si bashkësi e njerëzve të një gjaku apo me paraardhës të përbashkët. Aplikimi i këtij koncepti do të bënte, për të mbetur te futbolli, të shpallen tradhtarë shumë yje të futbollit që luajnë me përfaqësuese që nuk u përkasin kombeve të tyre. Tradhtarë duhet të shpalleshin polaku Podolski që luan me përfaqësuesen gjermane, turku Ozil që luan po me Gjermaninë, boshnjaku Ibrahimoviç që luan me Suedinë, argjentinasi Kamoranezi që ka luajtur me Italinë, algjeriani Zidan që ka luajtur me Francën. Ndër dy vëllezërit ganezë Boateg, ai që luan me Ganën duhet shpallur patriot, ndërsa ai që luan me Gjermaninë, tradhtar! Nënvizojmë se “kombi qytetar” edhe pse bart mangësitë e veta si përkufizim, shfaqet më në harmoni me zhvillimet e sotme. Por, është fakt, se koncepti i “kombit etnik” është gjithnjë e më në vështirësi përballë këtyre zhvillimeve. Është vetë realiteti politik dhe social, hapja e shoqërive ndaj njëra-tjetrës, që po shkallmon muret e bedenat e kështjellave të vjetra nacionale duke e bërë gjithnjë e më pak praktik konceptin e kombit etnik. Është një realitet që i jep gjithnjë e më shumë hapësirë individit për të vendosur në cilin shtet do jetojë, punojë dhe për kë do të luajë. Një fakt që përmblidhet me pak fjalë: liri e njeriut për të vetëvendosur për jetën e tij.

***

Nuk i vjen në ndihmë qartësimit të tablosë as terminologjia e vjetër si edhe konfuzioni rreth nocionit komb. Vetë FIFA kur organizon kampionatet botërore të futbollit thotë se luajnë “kombëtaret”. Termi “përfaqësuese” do qe më pa ekuivokë. Gjithsesi, ç’ka parasysh FIFA me kombëtare, skuadrën vetëm me anglezë që pretendon Uillshajer, apo skuadrën me futbollistë që kanë emigruar nga kombësi të tjera, por kanë marrë shtetësinë angleze? Praktika e këtyre viteve tregon se me “kombëtare” FIFA kupton këtë të dytën, që është edhe produkt i “kombit të qytetarëve”. Edhe ne, duke i qëndruar këtij koncepti, themi se 6 futbollistët me origjinë shqiptare që luajnë në Zvicër, nuk meritojnë të damkosen tradhtarë, edhe po të luajnë kundër madje, edhe po t’i bëjnë gol Shqipërisë!

(SHQIP)