A e thumboi Rifat Jashari, Xhelal Sveçlën në prani të Kurtit? Deklaratat e krerëve të shtetit në 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë hyrë ndaras në Kullën e Jasharëve për 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së në Prekaz, ndërkaq bashkë me Kurtin ishin edhe kryeparlamentari Konjufca, ministrja e Puneve te Jashtme, Gervalla dhe ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla. Vëllai i Adem Jasharit, Rifat Jashari ka pritur si çdo vit…

Lajme

06/03/2025 13:58

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë hyrë ndaras në Kullën e Jasharëve për 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së në Prekaz, ndërkaq bashkë me Kurtin ishin edhe kryeparlamentari Konjufca, ministrja e Puneve te Jashtme, Gervalla dhe ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla.

Vëllai i Adem Jasharit, Rifat Jashari ka pritur si çdo vit edhe kësaj radhe krerët qeveritarë me rastin e 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vëllai i komandantit legjendar qysh në pritje ia lëshoi disa thumba ministrit Sveçla, pasi i erdhi rendi për ta përshëndetur.

Rifat Jashari – ministrit Sveçla: A po ngon kënd a veç veten?

Jashari e pyeti Sveçlën a po e ngon kënd, a veç veten.

Deklaratë kjo që shkaktoi të qeshura mes Donika Gërvallës dhe Glauk Konjufcës.

Osmani dhe Kurti hyjnë ndaras në Kullën e Jasharëve për 27-vjetorin e Epopesë së UÇK-së

Pas kësaj Presidentja Osmani foli për sakrificën e familjes Jashari për liri dhe Pavarësi.

 

Osmani takon Rifat Jasharin: Familja Jashari edhe sot mbetet udhërrëfyese për rrugën tonë përpara

Përmes rrjeteve sociale, presidentja shkruajti se sikurse në të kaluarën edhe sot, Jasharët janë dritë udhërrëfyese për rrugën tonë.

“Nga plumbi i parë e deri te qëndresa heroike e marsit 1998, komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari nuk u thyen, nuk u zmbrapsën, por përqafuan pavdekësinë. Ata edhe sot mbeten dritë udhërrëfyese për rrugën tonë përpara”, u shpreh ajo.

Pas saj foli edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti ku tha se lufta e Jasharëve i dha hov të pandalshëm luftës për çlirim.

 

Kurti: Epopeja e UÇK-së i dha një hov të pandalshëm kryengritjes së armatosur dhe luftës çlirimtare

“Epopeja e UÇK-së i dha një hov të pandalshëm kryengritjes së armatosur dhe luftës çlirimtare, shpërthyen demonstrata gjithëpopullore dhe solidaritet ndërmjet shqiptarëve e njëkohësisht u vetëdijesua publiku ndërkombëtar dhe diplomacia botërore”, tha ai.

“Ata nuk i kemi më fizikisht, por ata kanë vetëm ditëlindje ndërkaq rënia e tyre është Epopeja e UÇK-së. Ndonëse nuk e kemi kryekomandantin, bacën Shaban e Hamzën, e kemi bacën Rifat që do ta vizitojmë, me shtëpinë plot nipa e mbesa dhe mbi të gjitha e kemi Kosovën republikë”, ka thënë Kurti në Prekaz

Ndërkaq, Konjufca deklaroi se krijimi dhe esenca e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë të lidhura ngushtë me familjen Jashari.

Konjufca në Prekaz: Ne si popull i detyrohemi më së shumti për lirinë dhe çlirimin e Republikës së Kosovës, familjes Jashari

“Ata si familje e kanë pasur të mishëruar në zemrat dhe shpirtin e tyre një të vërtetë e cila e ka shpëtuar popullin e Kosovës, e kjo e vërtetë është se liria nuk fitohet pa armë në dorë, duke luftuar me armë në dorë dhe nuk fitohet pa i dhënë dëshmorët e vet. Kështu veproi familja Jashari dhe për këtë arsye ne si komb, si popull i detyrohemi më së shumti për lirinë dhe për çlirimin e Republikës së Kosovës dhe Familjes Jashari”, u shpreh tutje Konjufca.

Përveç krerëve qeveritarë, në kullën e familjes Jashari ishte edhe i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ku tha se të kujtosh e shënosh Epopenë e UÇK-së, do të thotë të kujtosh e shënosh vet fundamentin e shtetit të Kosovës dhe përpjekjes kolektive për liri.

“Të kujtosh e shënosh Epopenë e UÇK-së, do të thotë të kujtosh e shënosh vet fundamentin e shtetit të Kosovës dhe përpjekjes sonë kolektive për liri. Do të thotë të kujtosh e shënosh gjithë sakrificën, qëndresën e vet kushtrimin e popullit të tonë të reflektuar në një familje të vetme, atë që sot na qëndron si tempull peligrinazhi për brezat e rinj, e që një çerek shekulli më parë na qëndronte si thirrje e rrugës sonë finale drejt lirisë”, ka shkruar Abdixhiku.

 

Abdixhiku homazhe në Prekaz, takohet edhe me bacën Rifat

 

Në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, krerët e shtetit bën homazhe së bashku, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Jasharët, zhvilluan rezistencë më 5, 6 dhe 7 mars, ku u përballën me forcat serbe, më 1998. Ai ishte sulmi i tretë ndaj tyre por që mori jetën e 55 personave – 22 prej të cilëve ishin të familjes së ngushtë të Adem Jasharit./Lajmi.net/