“A duhet me i mshu tavolinës për me i sjellë ligjet që i keni”, përplasen Besnik Tahiri dhe Glauk Konjufca

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka filluar me një përplasje në mes shefit të Grupit Parlamentar të AAK—së, Besnik Tahiri dhe kryeparlametnarit Glauk Konjufca.

Lajme

11/05/2022 12:44

Deputeti Tahiri doli në foltoren e Kuvendit të Kosovës për të paraqitur një mocion procedural, por pastaj parashtroi dy pyetje që kishin të bënin me Komisionin Hetimor Parlamentar.

“Si është e mundur që për 1 muaj e gjysmë jemi maltretu në këtë Kuvend, duke thënë se Komisioni Hetimor është në kundërshtim me Ligjin për hetim parlamentar. A është ky komision hetimor në kundërshtim me këtë ligj dhe nëse është pse e keni bërë? Pyetja e dytë është a duhet me e marr shishen dhe me i mshu tavolinës për me marr vesh dhe me i sjellë ligjet që i keni. A kuptoni që këto metoda, kjo zhurmë nuk është për këtë Kuvend”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se kërkesa e tij është që të kthehemi në një logjik të shëndosh të diskutimit.

Pas kësaj ka reaguar kryeparlamentari Glauk Konjufca, duke thënë se Tahiri e keqpërdori foltoren e Kuvendit.

“Sapo e keqpërdorë fort keq foltoren e Kuvendit, ta dhashë fjalën për tjetër gjë. Kështu nuk kam qef me ndodh në Kuvend të Kosovës, nuk shkon Kuvendi kështu, duhet me pas respekt ma shumë për mënyrën qysh i ka rregullat jeta parlamentare”, tha Konjufca.

E lidhur me këtë është kundërpërgjigjur sërish Tahiri, i cili deklaroi se duhet të përdoren metoda jo konvencionale për ta ngriturvetëdijen.

“Mocionin e kërkova me kërkesë të shumicës parlamentare. Unë nuk mundem pa e marrë fjalën sepse është keqpërdor seanca, nuk ki të drejtë për këtë që po e thua”, tha Tahiri.