A do të lejojë Turqia masakrimin e kurdëve pranë kufirit të saj?

Militantë sunitë të “Shtetit Islamik” po bëjnë përpjekje që më çdo kusht që të pushtojnë qytetin sirian Kobane të populluar me kurdë, i cili ndodhet disa qindra metra larg kufirit me Turqinë.

Bota

03/10/2014 17:24

Luftime të ashpra midis militantëve të ISIL-it dhe luftëtarëve kurdë po zhvillohen prej dy javësh, por dy ditët e fundit ato janë intensifikuar, raporton BBC.

Luftëtarët e “Shtetit Islamik” kanë avancuar disa kilometra brenda qytetit kurd, pavarësisht sulmeve ajrore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të cilat po kryehen mbi caqet e këtij shteti.

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, pak orë pas autorizimit të marrë nga Parlamenti, ka deklaruar se vendi i tij do të bëjë më të mirën e mundshme për të ndaluar militantët e ISIL-it që të pushtojnë qytetin Kobane.

“Ne nuk do të donim që Kobani të bie. Do të bëjmë gjithçka të mundur për të parandaluar një gjë të tillë”, ka thënë Davutoglu, për luftën në Kobane, e cila po përcjellet nga banorët turq këndej kufirit pa përdorimin e dylbive.

Brenda dy javëve në Turqi janë lejuar të futen mbi 160,000 refugjatë kurdë nga kjo zonë.

“Shteti Islamik” i shpallur në korrik nga organizata terroriste “Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë” (ISIL), në tokat e pushtuara të këtyre dy shteteve, ka vrarë mbi 10 mijë irakianë, shumica të krishterë dhe myslimanë shiitë, ndërsa për të shpëtuar jetët, nga shtëpitë e tyre janë detyruar të largohen mbi dy milionë vetave.