A do të ketë VV kandidat për kryetar në komunën e Skenderajt?

Zgjedhjet lokale do të mbahen me 12 tetor. Partitë tashmë kanë filluar të zyrtarizojnë disa nga kandidatët për kryetar të komunave, shkruan lajmi.net. Lëvizja Vetëvendosje në disa komuna ka bërë publik emrat e kandidatëve për kryetar, e në komunat që drejtoi për katër vite vazhdon me kandidatët e njëjtë. Por, a do të kenë kësaj…

Lajme

18/06/2025 14:33

Zgjedhjet lokale do të mbahen me 12 tetor.

Partitë tashmë kanë filluar të zyrtarizojnë disa nga kandidatët për kryetar të komunave, shkruan lajmi.net.

Lëvizja Vetëvendosje në disa komuna ka bërë publik emrat e kandidatëve për kryetar, e në komunat që drejtoi për katër vite vazhdon me kandidatët e njëjtë.

Por, a do të kenë kësaj radhe kandidatë në komunën e Skenderajt?

Në lidhje me këtë, lajmi.net ka kontaktuar me Hysni Mehanin, kryetar i degës së VV-së në Skenderaj.

Ai e ka konfirmuar që Vetëvendosje do të ketë kandidat për kryetar në këtë komunë.

“Po Lëvizja VETËVENDOSJE!, do të ketë kandidat. Jemi në diskutime për kandidatin, ende nuk kemi vendim.”, u shpreh ai fillimisht.

Tutje, Mehani foli për qeverisjen e Fadil Nurës në këto 4 vite sa ishte kryetar i Skenderajt. Ai e kritikoi ashpër atë.

“Fadil Nura ka me u mbajtur mend që ka blerë pent-house për veten e tij gjatë këtij mandati, që e ka shkatërruar parkun “Idriz Rreci” dhe përveç që e ka shkatërruar tregun e qytetit e ka dhanë pronën publike për ndërtim kundër-ligjshëm.”, tha Mehani.

Ai tha se Sami Lushtaku nuk do të jetë kandidat sepse nuk guxon, edhe pse Lushtaku ditë më parë deklaroi se është i gatshëm t’i hy garës për Skenderaj.

“Sami Lushtaku nuk do të jetë kandidat, sepse nuk guxon. Në gjithë këto vite nuk kam parë dokument të nënshkruar nga Sami Lushtaku. Zakonisht Samiu i përdorë të tjerët për interesa të tij, siç bëri me drejtorin e inspektoratit Valon Haliti të cilin Gjykate e dënoi me një vit e gjysmë me burg.”, u shpreh ai.

Në fund, Mehani komentoi dorëheqjen e nënkryetarit të VV-së në Skenderaj, Xhevat Nebihu.

“Nënkryetari Xhevat Nebihu në njoftim e tij ka thënë qëndrimin e tij të cilin unë e respektoj. Ai po në atë njoftim tregon që nuk ka ndërruar mendje dhe as që do të ndërrojë ndonjëherë. Po ashtu ka treguar që pavarësisht tendencave për joshje ai nuk ka ndërruar mendje, e as përballë kërcënimeve nuk është nënshtruar. Disa medie tendencioze janë munduar ta devijojnë njoftimin e tij, kur joshjen e kërcënimin mundshëm të ia atribuojnë Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e që në fakt joshja dhe kërcënimi ka të bëjë me PDK. Unë krejt në fund e falënderoj për punën e bërë profesor Xhevatin, sigurisht që më mirë do të ishte në struktura, por edhe jashtë strukturave ai do të vazhdojë të i kontribuojë të mirës së vendit, sepse siç e thotë edhe ai vetë nuk ka ndërruar mendje dhe nuk bëhet pjesë e të keqes.”, përfundoi ai.

Sipas një shkrimi të bërë nga Nebiu ai në fakt s’ka dashur të jetë pjesë e kësaj partie dhe s’do të jetë pjesë e asnjë tjetër.

“Me mirëkuptim, dua t’ju njoftoj publikisht që, ka kohë që kam dashur , por tani i erdhi momenti që unë të vendosë të mos jem më anëtar i asnjë partie , e as që kam dashur të jem , bile për hirë të vërtetës me është bërë lutje e madhe që të anëtarësohem ne VV, ku pasi kam menduar goxha mirë kam pranuar, arsyet e bindjes kanë qenë disa kolegë të respektuar, me qëllimin kryesor që të kontribuoj me aq mundësi që kam patur, për një ndryshim sadopak në shoqëri, dhe rrethin ku jetojmë, dhe të mirën e vendit, sikurse edhe në përiudhat tjera , edhe familjarisht”, ka shkruar ai.

Ai po ashtu tha se “Arsyeja kryesore është se ne si familje, edhe në luftë, e edhe tash i kemi grahë, e i grahim vetëm drejtë e me nder , dmth nuk jemi për politikë, sepse nuk mundet askush me na lakue jashtë principeve tona. Për të mirë prapë do të kontribojmë, qoftë edhe me sakrificë, aty ku mendojmë se janë interesat e të ardhmes së vendit, e asnjëherë shtrembër për asnjë shpërblim”, vijoi Nebihu

Xhevat Nebihu kishte kandiduar për asamble komunale në Skenderaj, ku kishte dalë më i votuari në listën e partisë.

VV në vitin 2021 nuk kishte kandidat në komunën e Skenderajt. Kishin dal në përkrahje të kandidaturës së Bekim Jasharajt./lajmi.net/