A do të kemi përballje Ronaldo – Messi? Portugezi mëson sot përgjigjen e testit

Cristiano Ronaldo, por edhe Juventusi e Barcelona do ta mësojnë sot, nëse portugezi do të jetë apo jo në dispozicion, për supersfidën e mbrëmjes së nesërme, në “Allianz Stadium”.

Sport

27/10/2020 10:29

Sipas transmetuesit “Sky Sport”, sulmuesi bardhezi i është nënshtruar dje testit, rezultati i të cilit do të vijë ditën e sotme.

Në testin precedent që CR7 iu nënshtrua një javë më parë, ngarkesa e virusit në mushkëritë e tij ishte shumë e vogël, për të mos thënë zero, aq sa klubi i Juventusit ia dërgoi testin molekular UEFA-s për të lajmëruar se futbollisti i tyre është shëruar, pavarësisht se testi ka rezultuar pozitiv.

Prandaj, nëse sot përgjigja për Cristiano Ronaldon do të jetë negative, atëherë Juventusi do të mund të mbështetet te ylli i tij për supersfidën me Barcelonën dhe duelin e tij direkt me Lionel Messin.

Kjo, falë pikës 7 të nenit 7 të protokollit UEFA, i cili hedh poshtë kryefjalën e tij, se “një futbollist mund të luajë në LK (apo Ligë Evrope), vetëm nëse rezulton negativ një javë përpara zhvillimit të ndeshjes”.

Fakti që Ronaldo ka qenë asimptomatik nga dita e parë kur ka rezultuar i infektuar (13 tetor) e deri më sot, bën që ai të jetë i grumbullueshëm nga Juventusi, për duelin e nesërm ndaj Barçës. /Lajmi.net/